Rexhep Selimi

Selimi kërkon kufizime për marrjen në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes

Mbrojtja e Rexhep Selimit ka kërkuar nga trupi gjykues i Dhomave të Specializuara që të vendosë masa për kufizimin e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes nga Prokuroria dhe palët e tjera në procesin gjyqësor ndaj tij dhe bashkë të akuzuarve Thaçi, Veseli e Krasniqi.

Në parashtrimin e dorëzuar më 17 korrik 2025, mbrojtja kërkon që pyetjet të kufizohen vetëm në çështje që dalin nga pyetja direkte, besueshmëria e dëshmitarëve dhe prova relevante që janë trajtuar në mënyrë të konsiderueshme gjatë fazës së Prokurorisë. Po ashtu, kërkohet ndalimi i paraqitjes së provave që lidhen me aktet dhe sjelljen e të akuzuarve të tjerë, nëse dëshmitari nuk është thirrur nga ata, raporton Betimi për Drejtësi.

Mbrojtja argumenton se lejimi i pyetjeve jashtë këtyre kufijve do të përbënte rrezik për zgjerimin e akuzave ndaj Selimit, i cili ka vendosur të mos paraqesë një çështje mbrojtëse. Ajo kërkon gjithashtu të lejohet rihapja e marrjes në pyetje nëse gjatë pyetjeve të Prokurorisë dalin çështje të reja që ndikojnë drejtpërdrejt në rastin e tij.

Prokuroria e ka përfunduar paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa më 16 korrik, trupi gjykues ka refuzuar mocionin e mbrojtjes për rrëzimin e disa akuzave që lidhen me ngjarje jashtë periudhës kohore të përcaktuar në aktakuzë.

Kontrolloni gjithashtu

Afati për presidentin po afrohet, institucionet ende pezull

Kosova po hyn në një fazë të ndjeshme institucionale, ndërsa 4 marsi afati i fundit …