Pavarësisht disa ditëve që kanë kaluar nga njoftimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e kryeparlamentarit, masat e përkohshme që ndalojnë mbajtjen e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të jenë në fuqi. Nga Gjykata Kushtetuese bëjnë me dije se aktgjykimi për rastet KO193/25 dhe KO196/25 do të publikohet pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së gjykatës. “Aktgjykimi i gjykatës do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e gjykatës dhe më pas edhe në Gazetën Zyrtare,” ka thënë Veton Dula nga Gjykata Kushtetuese. Zyrtarë të partive politike kanë deklaruar se do të respektojnë vendimin e Kushtetueses, e cila ka bërë të ditur se zgjedhja e kryeparlamentarit duhet të realizohet përmes votimit të hapur. Sipas njoftimit, një kandidat mund të propozohet deri në tri herë, ndërsa të gjithë deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në votim. Lëvizja Vetëvendosje do të ketë një afat 30-ditor nga hyrja në fuqi e aktgjykimit për të realizuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke i dhënë kohë të mjaftueshme për organizimin e procesit brenda rregullave të përcaktuara nga Kushtetuesja.
