Kushtetuesja vendos: Kandidati për kryeparlamentar mund të votohet vetëm deri në tri herë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka bërë publike arsyetimin e vendimit që kufizon votimin e të njëjtit kandidat për kryetar të Kuvendit në maksimum tre raunde votimi.

Në aktgjykimin e saj, Gjykata ka theksuar se propozimi i vazhdueshëm i një kandidati apo kandidateje të njëjtë nuk duhet të shndërrohet në mekanizëm bllokues, i cili pengon arritjen e shumicës së nevojshme prej 61 votash për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Gjykata konsideron që propozimi i vazhdueshëm për votim të kandidatit/es së njëjtë për kryetar/e të Kuvendit nga ana e grupit më të madh parlamentar nuk duhet të shërbejë si mekanizëm i bllokimit që do të pamundësonte arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve”, thuhet në aktgjykim.

Tre herë dhe jo më shumë

Sipas Kushtetueses, tre raunde votimi për të njëjtin kandidat janë në përputhje me “frymën e Kushtetutës”, duke shmangur boshllëkun institucional dhe duke garantuar funksionalizimin e Kuvendit si organ përfaqësues i sovranitetit qytetar.

“Kufizimi në tri raunde votimi për të njëjtin kandidat, duke u bazuar në frymën e Kushtetutës dhe zgjedhjen e krerëve të institucioneve, është mekanizëm mbrojtës që siguron që vullneti i qytetarëve të mos manifestohet në një boshllëk institucional, por të jetësohet përmes konstituimit të Kuvendit”, thuhet në arsyetimin zyrtar.

Shembuj nga institucione të tjera

Gjykata ka sjellë si krahasim edhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit, të cilët zgjidhen brenda një numri të përcaktuar raundesh dhe brenda afateve të qarta ligjore.

Kështu, sipas Kushtetueses, një praktikë e ngjashme duhet të vlejë edhe për zgjedhjen e kryeparlamentarit, për të shmangur ngërçet politike që mund të bllokojnë funksionimin institucional.

“Kufizimi konsiderohet si mekanizëm që inkurajon bashkëpunimin konstruktiv mes deputetëve dhe i ndihmon atyre të përmbushin detyrimet kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit/es së Kuvendit.”

Konteksti politik

Ky vendim vjen në një kohë kur Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet parlamentare është në pritje të konstituimit, ndërsa bllokadat politike kanë pamundësuar arritjen e shumicës për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Vendimi i Kushtetueses pritet të ndikojë drejtpërdrejt në dinamikën politike të ditëve në vijim, duke detyruar grupet parlamentare të kërkojnë zgjidhje alternative në rast të dështimit të tre raundeve për të njëjtin kandidat.

Kontrolloni gjithashtu

Daut Haradinaj akuzon Kurtin për “shkatërrim të planifikuar të Kosovës” dhe krim energjetik me përfitues Serbinë

Daut Haradinaj ka lëshuar kritika të ashpra në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, duke e …