leoni

Kryesuesi i Komisionit për Emërtime në Shtime reagon pas ndërhyrjeve politike: “Bojkoti ka emër”

Kryesuesi i Komisionit për Emërtimin e Institucioneve Publike në Kuvendin Komunal të Shtimes, profesor Ruzhdi Jashari, ka dalë me një reagim publik pas mosfunksionimit të Komisionit dhe ndërhyrjeve politike që, kanë penguar procesin e emërimit të disa institucioneve publike në këtë komunë. Në deklaratën e tij, Jashari thekson se është i detyruar të sqarojë opinionin publik dhe të gjithë ata që kanë dorëzuar kërkesa për emërtime zyrtare në institucione të ndryshme, për situatën e krijuar dhe ndërprerjen e padrejtë të procesit. Sipas tij, gjatë javëve të fundit, të gjithë propozuesit e emërtimeve kanë marrë një përgjigje me shkrim, të nënshkruar nga Kryesuesi i Kuvendit, Adnan Ademi, ku thuhet se Komisioni nuk kishte kuorum në mbledhjen e datës 20 mars 2025 dhe se, për shkak të shpalljes së zgjedhjeve nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, vendime të tilla nuk mund të procedohen gjatë periudhës së fushatës. Mirëpo, profesori Jashari e kundërshton këtë interpretim, duke sqaruar se Komisioni është organ legal dhe se mandati i tij përfundon vetëm me përfundimin e mandatit të Kuvendit Komunal. Ai thekson se Kryesuesi i Kuvendit nuk ka kompetenca të ndërpresë punën e Komisionit me vendime të njëanshme, dhe nëse një shtyrje e tillë duhej bërë, ajo duhej të vendosej nga vetë Kuvendi Komunal. Në reagimin e tij, profesor Jashari shpalos edhe detaje shqetësuese në lidhje me mungesën e kuorumit në mbledhjen e datës 20 mars. Sipas tij, në atë mbledhje munguan tre anëtarë: Hidajet Rexhepi, Besnik Seferi dhe Muhamet Ademaj, ndërsa të pranishëm ishin vetëm tre: Ruzhdi Jashari, Banush Imeri dhe Isak Asllani. Ish-anëtari Basri Hyseni kishte dhënë dorëheqje më herët për shkak të konfliktit të interesit. Jashari bën një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, për ndërhyrje të jashtëligjshme në punën e Komisionit. Ai pohon se tre anëtarët e munguar ishin ftuar në zyrën e Aliut, ku ai kishte kërkuar që, në rast se dilte për votim propozimi për emërtimin e Shtëpisë së Kulturës me emrin e profesor Ahmet Qeriqit, ata të lëshonin mbledhjen. “Bojkoti ka emër,” përfundon Jashari në reagimin e tij, duke lënë të kuptohet se ky veprim ishte i koordinuar dhe me qëllim të qartë për të penguar përmendjen dhe nderimin e figurave të rëndësishme të kulturës dhe arsimit në vend.

Kontrolloni gjithashtu

Daut Haradinaj akuzon Kurtin për “shkatërrim të planifikuar të Kosovës” dhe krim energjetik me përfitues Serbinë

Daut Haradinaj ka lëshuar kritika të ashpra në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, duke e …