Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke e quajtur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje rreth çështjes së Listës Serbe një “farsë të dirigjuar nga pushteti”. Në një reagim publik, Gjoshi ka sqaruar aspektin ligjor të procesit të çertifikimit të Listës Serbe, duke argumentuar se, në fakt, pavarësisht pretendimeve, Vetëvendosja ka kontribuar në lejimin e kësaj liste për të garuar në zgjedhje. Ai ka përshkruar tri faza të këtij procesi:
- Së pari, Zyra për KQZ, e drejtuar nga një zyrtar i emëruar nga qeveria aktuale, ka rekomanduar çertifikimin e Listës Serbe.
- Më pas, sipas Gjoshit, është inskenuar një qëndrim “kundërshtues” për media, për të krijuar përshtypjen se Vetëvendosja nuk mbështet pjesëmarrjen e Listës Serbe.
- Në fund, çështja ka shkuar në PZAP, ku, siç thotë Gjoshi, edhe atje drejtuesi është i emëruar nga kjo qeveri, dhe ku është marrë vendimi përfundimtar për çertifikimin.
Sipas tij, kjo është një strategji manipuluese që rrezikon seriozisht imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Kosovës po i dëmtohet imazhi ndërkombëtar për një grusht votash. Institucionet e shtetit po përdoren pamëshirë, vetëm për interesat e pushtetit,” – ka theksuar Gjoshi.