Edhe pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mos konstituohet, për shkak të qëndrimeve të pandryshuara të partive politike. Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit, në tri përpjekjet e fundit ka propozuar kandidatë për të cilët dihej se nuk do të merrnin mbështetjen e opozitës. Partitë si PDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk votojnë kandidatë që kanë qenë ministra në qeverinë e kaluar të Kurtit, ndërsa LDK dhe Nisma kanë kërkuar marrëveshje të plotë politike para se të japin votën. Në këtë situatë, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka paralajmëruar se nëse për 30 ditë nuk arrihet konstituimi i Kuvendit, partitë tjera mund t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese. Ai ka thënë se në atë rast, Kushtetuesja do të duhet të interpretojë nëse kemi të bëjmë me abuzim të të drejtës për propozim. Vetë Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj këtij skenari, duke sugjeruar se Gjykata Kushtetuese po përgatit terrenin për një aktgjykim të tretë, që eventualisht do t’i jepte një partie tjetër të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit.
