Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër pas një incidenti të ndodhur sot në kufirin mes Moldavisë dhe Ukrainës, ku disa shtetas të Kosovës janë kthyer pas nga autoritetet ukrainase. Sipas tij, qytetarët kosovarë jo vetëm që u refuzuan për hyrje, por edhe u ofenduan dhe u maltretuan. Madje, siç tha Pacolli, autoritetet ukrainase i kanë quajtur ata “terroristë”. “Populli ynë vazhdon të tregojë solidaritet dhe dhimbje për ta – ndërkohë që ata na poshtërojnë. A nuk është koha të rishqyrtojmë qëndrimet tona ndaj atyre që nuk na respektojnë as dinjitetin më minimal?”, ka shkruar ai në rrjetet sociale. Pacolli ka rikujtuar se Kosova ka marrëdhënie të respektueshme me dhjetëra shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë, por që megjithatë lejojnë hyrjen e qytetarëve me pasaportë kosovare. Ai shtoi se ky nuk është rasti i parë i sjelljes armiqësore nga Ukraina, duke përmendur edhe rastin kur ekipi kombëtar i futbollit të Kosovës u detyrua të udhëtonte në Gjeorgji për të zhvilluar ndeshjen kundër Ukrainës.
