Kryetari i komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati ka reaguar përmes rrjeteve sociale ndaj shkrimeve të një web faqeje “MalishevaPRESS.com”, që sipas tij administrohet nga persona anonim.
Në reagimin e tij drejtuar qytetarëve malishevas thuhet:
Të dashur qytetarë të komunës së Malishevës,
Kohëve të fundit, një faqe jo zyrtare “MalishevaPRESS.com”, që administrohet nga persona anonim, dhe disa profile falso në rrjete të tjera sociale, kanë nisur një fushatë për qellime politike, duke shpërndarë shkrime, foto e video mashtruese dhe të shtrembëruara, me qëllim për të ulur punën, përpjekjet dhe rezultatet tona në shërbim të qytetarëve të Malishevës.
Për këtë arsye, si kryetar komune kam ndërmarrë hapa ligjorë për të ushtruar PADI kundër kësaj faqe dhe çdo profili e faqe tjetër që vazhdon të dezinformon publikun në rrjetet sociale (Facebook, TikTok, Instagram, etj), në mënyrë që t’i japim fund kësaj fushate të mashtrimeve.
E vërteta nuk mund të fshihet me shpifje! Ne kemi realizuar projekte konkrete, kemi sjellë investime dhe kemi punuar me transparencë, dhe këtë e dinë më së miri qytetarët tanë që çdo ditë i shohin ndryshimet.
Askush nuk mund ta dëmtojë punën tonë e as të njollosë të ardhmen e Malishevës me shpifje.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, mediave dhe faqeve publike të jenë përgjegjëse dhe të mos bëhen vegël e mashtrimeve politike. Qytetarët meritojnë informata të sakta dhe të vërteta, jo gënjeshtra të fabrikuara.
Malisheva do të ecë përpara, pavarësisht pengesave, sepse vullneti dhe puna jonë është në shërbim të qytetarëve”, thuhet në reagimin e kryetarit të komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati.