Deklaratat e fundit të përfaqësuesve qeveritarë se “nuk mjafton një vit për ndryshimet kushtetuese” janë dëshmi e mungesës së vullnetit politik dhe e dështimit të kësaj qeverie për ta çuar vendin drejt integrimit europian dhe për të respektuar vetë Marrëveshjen e Ohrit. Prej ditës së parë të mandatit, përveç bllokimit të perspektivës evropiane, kjo qeveri dhe partnerët e saj kanë sulmuar themelet e barazisë dhe të Marrëveshjes së Ohrit: • kanë shfuqizuar balancuesin, duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera; • kanë zhvlerësuar Marrëveshjen e Ohrit duke ia dorëzuar implementimin figurave me bindje antishqiptare dhe antiperëndimore, si Ivan Stoillkoviç; • kanë fshirë diasporën nga përfaqësimi politik dhe kanë zvogëluar shqiptarët në përllogaritjet zyrtare; • nuk respektojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kanë zhvlerësuar Inspektoratin e gjuhëve dhe Agjencinë e gjuhëve. Sot, përveç dështimit me ndryshimet kushtetuese, kjo qeveri hap fronte të reja kundër mekanizmave të barazisë si shumica e Badenterit, një nga shtyllat më të forta kushtetuese që garanton stabilitetin ndëretnik, barazinë reale në vend dhe mbron nga majorizimi. Çdo tentativë për ta relativizuar ose rishikuar Badenterin është tentativë për ta kthyer shtetin pas në përjashtim dhe diskriminim. Jemi dëshmitarë se gjithnjë e më shumë po zënë vend ide të rrezikshme, që përfaqësojnë ata që besojnë se shtetet multietnike nuk funksionojnë dhe se duhet ndërtuar shtete etnike. Kjo qasje manifestohet në dy drejtime: përmes goditjeve të Marrëveshjes së Ohrit, që rrënojnë barazinë e brendshme, dhe përmes bllokimit të rrugës europiane, që e izolon vendin dhe e kthen mbrapa. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet forca politike që ka mbrojtur dhe do të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, kursin euroatlantik të vendit dhe dinjitetin e qytetarëve. Shqiptarët nuk do të lejojnë kthimin e shtetit në padrejtësi dhe përjashtim. Tetori është afër dhe populli do të flasë fuqishëm. Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron. Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet, barazia nuk negociohet.

BDI: Nga Balancuesi te Badenteri, plani për ta rrënuar rendin kushtetues

Maqedonia e Veriut nuk ka pasur kurrë një qeveri më anti-Marrëveshjes së Ohrit, më anti-integrimit europian dhe më nën diktatin e botës serbe sesa kjo që po udhëheq sot vendin.
Qëndrimet publike të përfaqësuesve të qeverisë kundër Marrëveshjes së Ohrit fatkeqësisht janë shndërruar në praktikë. Të thuash se ‘është koha për shfuqizimin e shumicës së Badinterit’, një nga shtyllat kryesore të rendit kushtetues të vendit, nuk është rastësi.
Për fat të keq, çdo ditë e më shumë po i jepet hapësirë partive politike apo politikanëve, të cilët kanë ide të rrezikshme dhe të cilët mendojnë se shtetet multietnike nuk janë funksionale, të cilët janë ithtarë të shteteve të pastra etnike. Ide të tilla dhe ideolog të tillë janë tejet të rrezikshëm, për shkak se me atë acarohen marrëdhëniet ndëretnike e shkohet deri në rrënim të tyre. Ne jemi dëshmitarë se kjo qeveri ka agjendë që në mënyrë sistematike ta sulmojë Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa kjo u dëshmua me një sërë veprimesh, me anulimin e Balancuesit dhe me mosrespektimin e përfaqësimit të drejtë, me mosrespektimin e gjuhës shqipe dhe ligjit për gjuhën shqipe, me atë që VMRO-DPMNE kërkoi që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë ligjin për gjuhën shqipe. Në këto momente edhe pse kemi ligj për përdorimin e gjuhëve, mbi 100 institucione, flasin vetëm në një gjuhë.
Për më tepër, qeveria padrejtësisht po ul numrin e këshilltarëve në komuna, duke cenuar përfaqësimin real të shqiptarëve, në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për vetqeverisje lokale dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në fillim nuk respektuan vullnetin politik të shqiptarëve, i zgjodhën ata që shqiptarët i refuzuan. Më pas ndaluan përdorimin e flamurit kombëtar nga zyrtarët shtetërorë. E radhës ishte gjuha shqipe. Pas kësaj sulmuan mekanizmin mbrojtës të përfaqësimit të drejtë dhe hoqën balancuesin. Tani po lexojmë se si duan të heqin edhe votimin me “Badenter”!
Dhe ky plan po realizohet sepse ata gjetën disa shqiptarë, që për një post janë të gatshëm të heqin dorë nga gjithçka që ka vlerë për shtetin multietnik dhe unitar.
Mirëpo, më 19 tetor, populli do të japë përgjigjen e vet në referendumin popullor. Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron.

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Bajrami: Sfidat dhe prapaskenat e shkrimit të Nenit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Sot, gjatë një debati me studentët e Fakultetit Juridik për procesin e hartimit të Kushtetutës …