Organizimi i UÇK-së, financimi, mobilizimi dhe fitorja ndaj armikut janë një shembull unik në botë. Unë po përshkruaj shkurtimisht vetëm një territor të vendit – firmën e aktivitetit ushtarak që nga themelimi deri në çlirim.
Në territorin e Komunës së Malishevës, në pjesën më të madhe, ka vepruar Brigada 122 “Imer Krasniqi” që nga fundi i vitit 1998. Paraprakisht, që nga fillimi i vitit 1998, vepronte Njësiti Operativ i UÇK-së “Lumi”, ndërsa që nga viti 1995 në këtë territor funksiononte një celulë e UÇK-së me kodin operativ 7000. Pra, në territorin e Malishevës, UÇK-ja ka operuar vazhdimisht që nga viti 1995 deri në çlirim, me veprime të pandërprera operative dhe luftarake kundër okupatorit serb. Ky është një nga shumë mjediset në Kosovë ku u organizua Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri.
E përmenda këtë për të treguar se lufta e UÇK-së ka pasur dhe ka shumë aspekte organizative, operative, logjistike dhe komanduese, që meritojnë studime të mirëfillta shkencore. Këto aspekte janë unike dhe me vlerë të madhe për studiuesit dhe gjeneratat e ardhshme, të cilët duhet të njihen me të vërtetat e luftës dhe çlirimit të vendit.
Dimal Basha, në vend se të merrej me fakte reale e të prekshme për UÇK-në dhe të bënte një punim të vërtetë shkencor, me të cilin do t’i demantonte të gjithë ata që tentojnë ta paraqesin ndryshe, ai zgjodhi të shpifë. Në vend të fakteve, ai dhe bashkautorja e tij, me qëllim, dezinformuan opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, duke publikuar të dhëna të rreme dhe të pavërteta, siç është pretendimi se UÇK-ja u financua nga bandat, droga apo radikalizmi islamik. Kjo përbën tentativë të qartë për të dëmtuar imazhin e UÇK-së, veçanërisht në arenën ndërkombëtare.
Për të faktuar organizimin e UÇK-së në trevën e Malishevës gjatë viteve 1995–1999, po i paraqes disa të dhëna të kohës, të cilat në të vërtetë ishin të pranishme në gjithë Kosovën:
• Viti 1995: U formua celula e UÇK-së me kodin operativ 7000, e përbërë nga disa persona. Qëllimi ishte luftimi i forcave ushtarake dhe policore okupatore me aksione guerile dhe përgatitja e masës për luftë çlirimtare. Me mjete vetanake u siguruan strehime, pajisje dhe logjistikë.
• Vitet 1996–1998: Celula zhvilloi aksione guerile në shumë pjesë të vendit. Me zgjerimin e luftës, u formua Njësiti Operativ i UÇK-së “Lumi”. Me qindra ushtarë vullnetarë, të furnizuar pjesërisht me armë nga UÇK-ja dhe pjesërisht me mjete private, u përfshinë në luftime frontale kundër forcave serbe. Popullata civile kontribuoi me uniforma, automjete dhe mjete të tjera logjistike.
• Shtator 1998: U formua Brigada 122 “Imer Krasniqi”, me mbi 1200 ushtarë. Popullata vullnetarisht ofroi strehim, mjete logjistike e teknike, si dhe ndihmë të pandërprerë. Brigada zhvilloi operacione të shumta luftarake në territorin e saj dhe mbështeti edhe brigadat tjera të UÇK-së.
Qytetarët e Kosovës, me punën e ndershme brenda dhe jashtë vendit, siguruan mjetet e nevojshme për ushtarët dhe për tërë organizimin e luftës. Këto janë fakte të pamohueshme.
Prandaj, Dimal Basha, nuk kishe nevojë të merreshe me sajesa kundër UÇK-së. Kishte me bollëk fakte reale dhe humane që tregojnë kontributin e popullit dhe sakrificën e luftëtarëve të lirisë. Kërkimfalja jote sot nuk mjafton. Përkundrazi, është një ofendim i radhës për ata që sakrifikuan jetën, pa pasur luks, privilegje apo përfitime materiale, por që dhanë gjithçka për çlirimin e Kosovës. Ata meritojnë respekt dhe vlerësim, jo falsifikime dhe shpifje.
Dorëheqja jote nuk mjafton. Ty duhet të të presë verdikti denues i gjykatave të Kosovës – si akt i drejtësisë që duhet të ndodhë në të ardhmen.
Enver J. Hoti
Ish-shef i sektorit për personel dhe mobilizim,
Brigada 122 “Imer Krasniqi”, UÇK-së
Zona Operative e Pashtrikut