Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011, vazhdon të mbetet i bllokuar pavarësisht marrëveshjeve të arritura ndër vite, përfshirë atë të Ohrit në vitin 2023, zbatimi i së cilës ka ngecur. Takimi i fundit në kuadër të dialogut u mbajt në qershor 2025 në Bruksel, me pjesëmarrjen e Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit, nën ndërmjetësimin e Peter Sorensen, por nuk prodhoi rezultate konkrete. Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se BE-ja, si lehtësuese e dialogut, po punon me palët për një marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi, duke trajtuar të gjitha çështjet e pazgjidhura. “BE pret që Serbia dhe Kosova të përmbushin me shpejtësi angazhimet e tyre në kuadër të Dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre drejt anëtarësimit në BE. Rruga drejt Bashkimit Evropian për të dyja palët kalon përmes Dialogut të lehtësuar nga BE,” tha zëdhënësi.
