Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson, ofensivës së projektit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut, duke paralajmëruar se përfshirja e institucioneve shtetërore në aktivitete të tilla rrezikon sovranitetin dhe orientimin euroatlantik të vendit. Në një deklaratë për media, BDI shprehet e shqetësuar për ngjarjet e fundit, duke përmendur festimet në Manastir dhe ceremonitë e mbajtura më 7 shtator në Kajmakçalan, ku sipas partisë, përfaqësues të lartë të Serbisë dhe zyrtarë të qeverisë së Maqedonisë së Veriut kremtuan ngjarje që cenojnë historinë dhe identitetin kombëtar. “Pjesëmarrja e institucioneve tona në këto skenarë është jo vetëm provokim i rëndë historik dhe politik, por edhe përpjekje për të relativizuar sovranitetin e shtetit tonë, duke e paraqitur Maqedoninë e Veriut si ‘Republika e tretë serbe’”, thuhet në reagimin e BDI-së. Sipas partisë, deklarata e ministrit serb të Mbrojtjes, Bratislav Gashiç, për “rrugën e lirisë” dhe “kthimin në atdhe” të ushtrisë serbe në tokën e Maqedonisë, përbën shembull të qartë të projektit për zgjerimin e ndikimit serb në rajon. BDI thekson se ky projekt është armiqësor për Maqedoninë e Veriut dhe bie ndesh me Marrëveshjen e Ohrit, kohezionin multietnik dhe orientimin drejt Bashkimit Evropian. “Maqedonia e Veriut nuk është dhe kurrë nuk do të bëhet ‘Republika e tretë serbe’. Çdo tentativë për ta minuar sovranitetin tonë do të hasë në kundërshtimin tonë të vendosur, pa kompromis”, përfundon reagimi.
