Arrestimi i kameramanit Jetmir Muji nga truprojat e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkaktuar reagime të forta publike. Ngjarja ndodhi pasi ai po filmonte praninë e madhe të njësive të sigurisë në një shkollë private ku mësojnë vajzat e presidentes. Opinionisti Burim Ramadani e ka cilësuar ndërhyrjen si “akt dhune dhe shkelje flagrante të ligjit”, duke kërkuar reagim të menjëhershëm institucional. Suspendojini policët! Nuk jemi në diktaturë! Dhuna është gabim, nuk tolerohet”, ka shkruar Ramadani, duke numëruar disa nga shkeljet që, sipas tij, janë kryer:
- ndalimi i një gazetari vetëm pse filmonte në hapësirë publike,
- marrja e pajisjes së punës pa bazë ligjore, që ai e quan “plaçkitje”,
- si dhe presioni për fshirjen e materialit filmik.
Ramadani i bëri thirrje Policisë së Kosovës të mos veprojë nën presion politik apo institucional, por vetëm në përputhje me ligjin: “Ligji për Policinë e Kosovës është në standard të lartë demokratik dhe respekton të drejtat e njeriut. Ajo që ndodhi nuk është në asnjë mënyrë në përputhje me ligjin.” Ai kërkoi nga Inspektorati Policor i Kosovës nisjen e menjëhershme të hetimeve dhe suspendimin e policëve të përfshirë në këtë rast.