Flutura Kusari kritikon Osmanin: Raportimi për shkollimin e vajzave është interes publik, jo përndjekje

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas arrestimit të kameramanit të portalit Paparaci, Jetmir Muji. Ajo tha se raportimi për shkollimin e vajzave të presidentes nuk përbën përndjekje, por është në interes të publikut. “Përndjekje është kur ju dhe bashkëshorti juaj shfrytëzoni çdo situatë për të sulmuar mediat, për të njollosur gazetarët dhe për të krijuar klimë negative ndaj mediave”, ka shkruar Kusari. Juristja theksoi se ndalimi i kameramanit përbën shkelje serioze të lirive mediale. “Ndalimi i kameramanit është ndërhyrje flagrante në lirinë e shprehjes dhe të mediave. Marrja e pajisjeve të tij pa urdhër gjyqësor rrezikon burimet e gazetarëve”, shtoi ajo. Rasti ndodhi të mërkurën, kur Policia e Kosovës ndaloi kameramanin Muji gjatë realizimit të pamjeve për mbrojtjen e afërt të vajzave të presidentes Osmani. Vetë presidentja reagoi më pas, duke akuzuar disa “gjoja gazetarë” për përndjekje të vazhdueshme ndaj fëmijëve të saj, gjë që sipas saj e ka detyruar të ndryshojë shkollën e vajzave. Kusari megjithatë nënvizoi se roli i mediave është të raportojnë mbi çështje me interes publik, ndërsa sulmet nga pozita të larta shtetërore ndaj gazetarëve krijojnë precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes në vend.

Kontrolloni gjithashtu

AGK kritikon Osmanin: Presidentja nuk mund të bëjë dallim mes vajzave të saj dhe nxënësve të tjerë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Presidentes Vjosa Osmani, …