Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar ashpër pas protestës të shqiptarëve para Gjykatës së Hagës, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykata Speciale nuk është më institucion i drejtësisë, por një projekt politik i ndikuar nga faktorë të jashtëm, që po tenton të njollosë luftën e drejtë të UÇK-së. Haradinaj theksoi se kjo gjykatë ka shkuar përtej kompetencave të saj dhe ka përdorur metoda të paligjshme, duke manipuluar dhe korruptuar dëshmitarë. “Kjo Gjykatë jo vetëm që është e motivuar politikisht, por ka bërë simulimin, yshtjen dhe korruptimin e dëshmitarëve, duke i orientuar sesi të flasin dhe duke i shpërblyer. Disa individë e kanë shfrytëzuar këtë rast për azil dhe kanë pranuar të gënjejnë, me qëllim që të njollosin bazamentin e lirisë së Kosovës,” – tha ai. Haradinaj, nuk kurseu kritikat edhe ndaj qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar se e ka futur vendin në kolaps dhe se po e çon drejt përçarjes me aleatët kryesorë. Haradinaj. Ai paralajmëroi se pas zgjedhjeve të tetorit, do të ketë organizime popullore që do të shprehin qartë pakënaqësinë qytetare ndaj situatës politike dhe juridike në vend. Haradinaj theksoi se vetë procesi gjyqësor është një përpjekje për të kriminalizuar luftën e UÇK-së, por sipas tij, historia dhe faktet flasin ndryshe. “UÇK ishte e nevojshme dhe e domosdoshme. Ishte ajo që bëri që 26 shtetet e NATO-s të bashkoheshin kundër kasapit të Ballkanit, Millosheviç. Ata që tentojnë të njollosin emrin e UÇK-së do të dështojnë, sepse drejtësia e vërtetë do të tregojë pafajësinë e çlirimtarëve,” – theksoi Haradinaj.
