Në Viti u mbajt një tryezë diskutimi e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), me temën “Mediat dhe dezinformatat mediale”, ku u trajtuan sfidat e lajmeve të rrejshme dhe ndikimi i tyre në shoqëri.
Përfaqësuesit e QKSS-së prezantuan para të pranishmëve hulumtimet dhe analizat e tyre mbi fenomenin e dezinformatave, duke theksuar rrezikun që ato paraqesin për demokracinë, proceset zgjedhore dhe besimin e qytetarëve në institucione. Një theks i veçantë iu kushtua edukimit medial, transparencës dhe nevojës për të forcuar kulturën e verifikimit të lajmeve te publiku.
Në fjalën e tij, Ramadan Ilazi, udhëheqës i Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, theksoi rëndësinë e edukimit qytetar për t’u mbrojtur nga lajmet e rrejshme, si dhe domosdoshmërinë e fuqizimit të mediave të pavarura për të garantuar informim profesional, të paanshëm dhe në shërbim të interesit publik.
Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili përshëndeti nismën dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe mediave për të promovuar transparencë dhe informim të saktë.
Përveç përfaqësuesve të QKSS-së dhe kryetarit Haliti, në tryezë morën pjesë gazetarë lokalë, përfaqësues të institucioneve komunale dhe shoqërisë civile, të cilët ndanë përvojat e tyre mbi sfidat e dezinformimit dhe rolin që duhet të luajnë mediat profesionale në shërbim të qytetarëve.