Kuvendi i Komunës së Ferizajt ka miratuar me shumicë votash buxhetin komunal për vitin 2026, në vlerë prej 54,068,494.00 €, nga të cilat 14,413,714.00 € janë të dedikuara për investime kapitale.
Në mbledhjen e sotme morën pjesë Kryetari i Komunës, Agim Aliu, Kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Zariqi, drejtorë të drejtorive komunale dhe anëtarë të Kuvendit.
Kryetari Aliu, në fjalën e tij para kuvendarëve, theksoi se ky dokument është korniza kryesore investimore mbi të cilën do të ndërtohen projektet për të ardhmen e Ferizajt. Ai shtoi se buxheti i vitit 2026 është rezultat i dëgjimeve publike, duke reflektuar kërkesat e qytetarëve dhe vizionin zhvillimor të qeverisjes lokale.
“Ky buxhet është pasqyrë e qartë e vizionit tonë për transformimin e gjithanshëm të Ferizajt. Çdo lagje dhe çdo fshat ka vendin e vet në këtë projeksion investimesh, duke garantuar vazhdimësi të punëve publike dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët tanë. Ky dokument me ndikim të drejtpërdrejt për të nesërmen dhe të ardhmen e Ferizajt e ferizajasve, buron nga vet qytetarët, me dëgjesat publike që kemi organizuar, me qasjen gjithëpërfshirëse, me kontaktin e takimet e drejtpërdrejta, me vlerësimin e çdo ideje a propozimi por edhe analizës sonë të vazhdueshme sektoriale mbi investimet publike, me qëllimin parësor e vendimtar: të zbatojmë nisma e projekte që meriton Ferizaj i ynë. Duke qenë një pasqyrë ku reflektohen kërkesat qytetare, vizioni ynë për transformimin e gjithmbarshëm e të shumanshëm të Ferizajt, pesha e veçantë që bart ky volum punësh i organizuar e kornizuar brenda buxhetit për vitin 2026 dhe projeksionit të hershëm për vitet pasrendëse, bënë që çdo lagje, çdo vendbanim, secili ferizajas, si nga fshatrat ashtu edhe qyteti, ta ketë zërin e tij në këtë projeksion investimor për të ardhmen e Ferizajt. Në lartësinë e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë për besimin e jashtëzakonshëm që morëm nga qytetarët, për ta ngritur e fuqizuar çdo ditë Ferizajn tonë, ideuam dhjetëra projekte, nisma e ide që përkthehen me punën tonë, në mundësi të shtuara, vazhdim të transformimit, modernizim, mirëqenie e shërbim cilësor për Ferizajn e qytetarët e tij. Në çdo fjalë e fjali të këtij Buxheti, në çdo faqe të kalkuluar me shifra – idetë e projektet që çojnë përpara Ferizajn, reflektohet vizioni ynë, energjia që manifeston përgjigjen në pritshmëritë e ferizajasve, për ta bërë me guxim, me cilësitë e dëshmuara profesionale, me ndershmëri – Ferizajn për brezat e sotëm e të ardhshëm”, tha Kryetari Aliu.
Ai rikujtoi se një nga prioritetet kryesore të këtij mandati kanë qenë projektet e gjelbërta, në të cilat janë investuar mbi 6 milionë euro. Në këtë kuadër, u përmendën: zgjerimi i Parkut të Lirisë, ndërtimi i parkut në Kodrën e Sherretëve, punimet në hapësira të tjera publike si tek ish-lokacioni i Kompanisë “Pastërtia”, tek Stacioni i Vjetër i Autobusëve, si dhe realizimi i miniparqeve në zona urbane dhe rurale.
Tutje, Kryetari Aliu paralajmëroi projektet e reja për vitin 2026, ndër të cilat spikasin Parku i Ri i Qytetitme hapësirë prej 1.4 hektarë dhe ndërtimi i Bulevardit të Rinisë, një korridor i gjelbër urban që do t’i japë qytetit identitet të ri modern.
“Projektet e gjelbërta ishin fokusi i këtij mandati qeverisës, mandatit të gjelbër të Ferizajt, ku si asnjëherë më parë në historinë e qeverisjeve në Ferizaj, me guxim, me profesionalizëm, me vizion të dëshmuar se ku duam ta shohim Ferizajn në të ardhmen, hapëm fronte të shumta pune, duke i dhënë kuptim tjetër organizimit të hapësirave publike, me parqe masive që po jetësohen çdo ditë, me miniparqet si koncept që instaluam – për të gjelbërtën në hapësira urbane e rurale.
Me zgjerimin e Parkut të Lirisë dhe Parkun në Kodrën e Sherretëve së cilës do t’i shtojmë edhe një rrugë për qasje më të shpejt e më lehtë nga qytetarët, po jetësojmë këto megaprojekte të gjelbërta, pa lënë anash edhe punimet në Parkun tek ish lokacioni i Kompanisë “Pastërtia”, Parkun tek Stacioni i Vjetër i Autobusëve dhe miniparqet në zonë urbane e rurale ku në këtë mandat qeverisës investuam afro 6 milionë euro në të gjelbërtën, projekte këto me jetësimin e së cilave, ferizajasit fitojnë qindra hektarë hapësira të reja të gjelbërta në zemër të qytetit”, ka deklaruar Kryetari Aliu.
Po ashtu, buxheti i vitit të ardhshëm parasheh fillimin e punimeve për Unazën e Brendshme të Qytetit, ndërtimin e rrugëve të reja lidhëse në lagje e fshatra, si dhe investime të mëdha në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Pa lënë anash edhe projeksionet tona për ndërtimin e infrastrukturës rrugore që lidh e komunikon zonat urbane e fshatrat me njëra-tjetrën si asfaltimi i rrugës që lidh rrugën “Naim Beka” me rrugën “Epopeja e Jezercit”, rruga Manastirc-Pleshinë, rruga Prelez i Jerlive-Prelez i Muhaxherëve, rrugët e lagjes Sherret, trotuare e zgjerim rrugësh në fshatra e në qytet.
Në këtë pikëpamje, në projeksionin buxhetor për vitin 2026 zënë vend edhe një numër i madh projektesh të reja të natyrës së infrastrukturës nëntokësore, si investimi në rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimit, shtrirë këto projekte në fshatrat si: Greme, Zaskok, Pojatë, Dubravë, Nikadin, Fshat i Vjetër, Gaçkë, Prelez e Muhoc si dhe në zona tjera rurale e urbane”, ka thënë Aliu.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu,ka thënë se kyprojektbuxhet është zëri i kërkesave të qytetarëve, është vizioni që ka shoqëruar transformimin e Ferizajt përgjatë këtyre viteve, është dëshmia se puna flet më zëshëm sesa gjithçka tjetër, andaj dua që përmes kësaj paraqitje në këtë seancë të fundit të kësaj legjislature, ku keni para vetes planifikimin buxhetor për vitin 2026 me projektet e rëndësisë kapitale, t’ju falënderoj për mbështetjen e nismave e projekteve përgjatë viteve të cilën jam besimplotë se do ta bëni edhe sot përmes këtij projektbuxheti, implementimi i së cilave e bëri Ferizajn të transformohet, e bëri Ferizajn më të mirë e modern, e bëri Ferizajn ashtu siç e meriton, për të vazhduar pa ndalshëm, çdo ditë, në misionin tonë për Ferizajn e ferizajasit, për krenarinë tonë – Ferizajn tonë.
Pas fjalës së Kryetarit Aliu, pati mendime për edhe kundër buxhetit të komunës së Ferizajt, por më shumicë votash ky buxhet mori dritën jeshile për vitin e ardhshëm.
Në këtë mbledhje me shumicë votash është votuar edhe propozim – vendimi për pezullimin e vendimit me Nr: 01.Nr.41 të datës 30.04.2025.
Gjithashtu kryesuesja e grupit të grave të asamblesë Mimoza Sojeva-Pajaziti para anëtarëve të KK-së ka lexuar edhe Deklaratën mbi eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike në Kosovë e mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.