Tetori – Muaji Rozë i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit

Gjatë ditës së sotme, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj, në bashkëpunim me Spitalin Rajonal të Ferizajt dhe Institutin e Shëndetit Publik, kanë nisur aktivitete të ndryshme me rastin e Muajit Rozë.

Drejtoresha e QKMF-së, Nadire Imeri, tha se tetori në mbarë botën njihet si Muaji Rozë, një periudhë e dedikuar për ndërgjegjësimit, parandalimit dhe mbështetjes ndaj grave që përballen me kancerin e gjirit.

“Çdo vit, miliona gra diagnostikohen me këtë sëmundje, por zbulimi i hershëm mbetet arma më e fuqishme për ta luftuar atë me sukses.

Në këtë muaj do të organizojmë fushata sensibilizuese, aktivitete informuese dhe nisma bamirësie për të përhapur mesazhin e rëndësisë së kontrolleve të rregullta dhe kujdesit shëndetësor. Simboli i fjongos rozë është bërë shenjë bashkimi, solidariteti dhe shprese për të gjitha gratë dhe familjet e prekura,” u shpreh Imeri.

Ndërsa drejtori i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Fikret Arifi, theksoi rëndësinë e kontrolleve mjekësore.

“Vetëkontrolli, vizitat periodike tek mjeku dhe mamografia janë hapa kyç për të shpëtuar jetë. Muaji Rozë është një kujtesë se shëndeti i gruas duhet të jetë gjithmonë prioritet, jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit,” tha ai.

Gjatë këtij muaji parashihen aktivitete të shumta vetëdijesuese, ndërsa mamografia do të ofrohet falas për të gjithë.

Kontrolloni gjithashtu

178 fermerë ferizajas përfitojnë makineri bujqësore

Kryetari i komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, ka shpërndarë makineri bujqësore për 178 bujq …