Komuna e Malishevës në bashkëpunim me Zyren për Barazi Gjinore dhe me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare si dhe organizata të shoqërisë civile, organizoi sot një ecje sensibilizuese me moton “Kontrollohu, parandalimi shpëton jetë”.
Në këtë aktivitet morën pjesë dhjetëra qytetarë, personel shëndetësor, nxënës e përfaqësues të institucioneve lokale.
Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin e grave. “Shëndeti i gruas është themel i shëndetit të familjes dhe shoqërisë. Ky muaj na kujton se me kujdes, kontroll të rregullt dhe mbështetje, mund të shpëtojmë jetë,” tha Kryetari Kastrati gjatë fjalës së tij.
Në këtë aktivitet sensibilizues, folën edhe Afrim Krasniqi, drejtor i QKMF-së, Dr. ‘Shpëtim Robaj ‘, dhe Ganimete Bytyçi.
Tetori shënon muajin ndërkombëtar të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, një periudhë e dedikuar për informim, parandalim dhe mbështetje për të gjitha gratë që përballen me këtë sëmundje.
Në këtë kuadër, theksohet rëndësia e kontrollit të rregullt mjekësor dhe zbulimit të hershëm, që rrit ndjeshëm mundësitë e shërimit. Po ashtu, gjatë këtij muaji zhvillohen edhe fushata informuese, ligjërata publike.
Ecja përfundoi me aktivitete simbolike dhe shpërndarje të fjongove rozë, si shenjë solidariteti me të gjitha gratë që përballen me kancerin e gjirit dhe si thirrje për parandalim përmes diagnostikimit të hershëm.