Një video e rikthyer nga arkivat e RTK-së, e regjistruar para gjashtë vitesh, e paraqet Shehollin duke folur hapur për lidhjet e tij me Milan Radoiçiqin, figurë kyçe e strukturave serbe në veri të Kosovës dhe i kërkuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Në atë incizim, Sheholli flet me ton përbuzës për institucionet e Kosovës dhe me simpati për Listën Serbe e Serbinë, duke treguar për respektin dhe “miqësinë” që gëzonte nga qarqet atje. Deputetja boshnjake, Duda Balje, e cila dëgjohet në fillim të atij incizimi, ka reaguar menjëherë pas publikimit. Ajo e ka quajtur materialin “të vjetër, të nxjerrë nga konteksti dhe të përdorur politikisht nga Lëvizja Vetëvendosje”. Sipas saj, biseda i përket periudhës kur funksiononte grupi multietnik GP 6+, shumë vite më parë, dhe nuk ka asnjë element antikombëtar. “Asnjëherë, në asnjë rast, nuk kam vepruar kundër Kosovës. Asnjëherë”, ka theksuar Balje, duke shtuar se publikimi i incizimit është “përpjekje për diskreditim politik” nga ata që ajo i quan “të nervozuar nga mosmbështetja ime për VV-në”.
