Arrestimi i Fatmir Shehollit, figurë e njohur në qarqet politike dhe mediatike – ka hapur një kapitull të ri në rrëfimin e ndërhyrjeve serbe në Kosovë. Ai, që deri dje paraqitej si “aktivist për marrëdhënie ndëretnike”, sot po hetohet për spiunazh në shërbim të BIA-s, agjencisë famëkeqe serbe të inteligjencës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon Shehollin me kryerje të shërbimeve për qëllime të Serbisë, përfshirë mbledhjen e materialeve “komprometuese” ndaj zyrtarëve kosovarë dhe sigurimin që ato të shpërndahen publikisht për të krijuar ndikim politik e destabilizues. Sipas dosjes së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Sheholli vepronte nën dirigjimin e operativit të BIA-s, Bojan Dimiç, me të cilin kishte lidhje të drejtpërdrejtë. Në datën 26 shtator të këtij viti, në Mitrovicën e Veriut, ai kishte marrë materiale audio e transkripte bisedash nga zyrtarë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, që dyshohet se përmbanin informacione komprometuese. Si shpërblim për publikimin e tyre në media online, kishte pranuar edhe një shumë parash. Për këto veprime, Sheholli po hetohet për veprën penale të “Spiunazhit” (neni 124, paragrafi 3 i Kodit Penal), ndërsa sot ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pas arrestimit në Prishtinë. Fatmir Sheholli, për vite të tëra, u paraqit si drejtues i një “instituti për afirmim të marrëdhënieve ndëretnike”. Por, në realitet, sipas autoriteteve, ky institut ka shërbyer si mbulesë për një aktivitet që synonte të krijonte ndikim politik dhe përçarje brenda institucioneve të Kosovës.
