Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjes së Serbisë në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë të diel në Kosovë, duke e cilësuar atë si “manipulim të hapur parazgjedhor dhe ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran”. Terras paralajmëroi se ndikimi dhe përfshirja e Beogradit në procesin zgjedhor në veri të Kosovës janë bërë sërish të dukshme, duke shtuar se veprimet e fundit të Serbisë përbëjnë rrezik për stabilitetin rajonal. “Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë synon tensionimin e situatës tashmë të ndjeshme dhe përbën një akt armiqësor ndaj sovranitetit të vendit”, ka theksuar Terras. Sipas raportit të paraqitur në Parlamentin Evropian, përfaqësues të Qeverisë së Serbisë janë angazhuar në mënyrë aktive në favor të një partie politike serbe në Kosovë, përmes shpalljeve publike, programeve të reja të ndihmës sociale dhe ofrimit të vendeve të përkohshme të punës në institucionet e kontrolluara nga Beogradi — gjithçka vetëm disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. “U bëj thirrje autoriteteve të Serbisë që të ndalojnë menjëherë çdo ndërhyrje në proceset demokratike në Kosovë dhe të respektojnë parimin themelor të vetëvendosjes dhe zgjedhjes së lirë të qytetarëve. Riho Terras, ish-gjeneral dhe deputet nga Estonia, është një nga zërat më kritikë ndaj politikës së Beogradit në raport me Kosovën dhe një mbështetës i vazhdueshëm i rrugës euroatlantike të Prishtinës.
