leoni

Daniel Fried: Pezullimi i Dialogut Strategjik, sinjal i fortë ndaj autoritarizmit të Kurtit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën, në një veprim që sipas ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Daniel Fried, përbën një paralajmërim serioz për qeverinë e Albin Kurtit. Në intervistën për Albanian Post, diplomati me përvojë në administratat Bush dhe Obama deklaron se ky është “një sinjal i qartë ndaj shenjave të autoritarizmit të Kurtit”, ndërsa shton se vendimi është serioz, por “jo i parevokueshëm”. Sipas Fried, frustrimi brenda administratës amerikane ndaj qasjes së Kurtit, veçanërisht ndaj komunitetit serb, ka shtyrë Uashingtonin të dërgojë një mesazh të qartë për rishikim të partneritetit. Ai paralajmëron se administrata Trump mund të përdorë edhe mjete shtesë presioni, përfshirë tarifat, nëse Prishtina nuk reflekton. Duke komentuar sulmin terrorist në Banjskë, Fried thekson se Serbia mbetet e aftë të organizojë operacione të tilla dhe se Kosova duhet t’i ekspozojë para botës, duke forcuar njëkohësisht lidhjet me Bashkimin Evropian për t’u mbrojtur nga agresioni rajonal. Ai vëren se mungesa e ambasadorit amerikan në Prishtinë lidhet më shumë me ngadalësinë e emërimeve të administratës sesa me probleme në marrëdhëniet bilaterale. Megjithatë, paralajmëron se balancimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiç midis Perëndimit dhe Rusisë “nuk mund të funksionojë më si dikur”, pasi Uashingtoni po tregon gatishmëri të shtuar për presion ndaj Beogradit. Në përfundim, Fried nënvizon se Kosova ka nevojë për një diplomaci të mençur dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët euroatlantikë, në një kohë kur “Uashingtoni po teston seriozitetin e qeverisë Kurti si partnere në demokraci, e jo si sfiduese të saj.”

Kontrolloni gjithashtu

Radojçiq

Audioja e harruar: Lidhjet me Milan Radoiçiqin

Një video e rikthyer nga arkivat e RTK-së, e regjistruar para gjashtë vitesh, e paraqet …