Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që ish-prokurori special Jack Smith dhe “porositësit e tij politikë” të hetohen, duke i akuzuar për një komplot ilegal politik që, sipas tij, synonte përndjekjen e tij politike, raporton Gazeta Metro. Në një deklaratë të mërkurën, Trump nuk ngurroi të shprehë qëndrimin e tij rreth hetimit parlamentar për Jack Smith që po zhvillohet në Kongres. Ai e cilësoi këtë proces si një “gjueti shtrigash” të orkestruar nga ish-rivalët e tij politikë në administratën Biden, me qëllim pengimin e tij për t’u rikthyer në detyrë si kandidat presidencial. “Jack Smith është një individ i marrë, sipas meje, dhe duhet të akuzohet. Më befason pse po zgjat kaq shumë. Ajo që ata bënë ishte krim – instrumentalizim politik i institucioneve kundër një rivali politik. Unë isha viktima, por në fund triumfova,” deklaroi Trump. Ndërkohë, Jack Smith është ftuar të dëshmojë në komisionin hetimor të Kongresit, i kryesuar nga përfaqësuesi republikan Jim Jordan, pas raporteve se autoritetet e drejtësisë kishin autorizuar përgjime ndaj përfaqësuesve të Kongresit dhe kishin përdorur praktika që mund të konsiderohen ilegale, si shantazh dhe ryshfet. Hetimi ndaj Smith ka ngjallur kundërshti të forta në opinionin publik amerikan, pasi u nis në një moment kur Trump shihej si kandidati më i mundshëm presidencial i Partisë Republikane. Shumë analistë e kanë konsideruar këtë si një ndërhyrje politike në garën zgjedhore.
