Ethem Çeku: “Shqipëria është ndërgjegjja kombëtare dhe arkitektura etike e lirisë shqiptare”

Ish-ministri i Mjedisit dhe profesori universitar, Ethem Çeku, ka publikuar sot një shkrim reflektues me titull “Shqipëria – ndërgjegjja kombëtare dhe arkitektura etike e lirisë shqiptare”, ku thekson rolin moral, historik dhe shpirtëror të Shqipërisë në ruajtjen e unitetit dhe dinjitetit kombëtar. Në këtë analizë filozofiko-kombëtare, Çeku thekson se Shqipëria nuk është vetëm një realitet shtetëror, por “substrati moral dhe ndërgjegjja ekzistenciale e shqiptarëve”, përmes së cilës ideja e kombit ka mbijetuar përtej ndarjeve territoriale dhe tronditjeve historike. Sipas tij, që nga pavarësia e vitit 1912, Shqipëria ka qenë “qendra shpirtërore e identitetit kombëtar”, duke mishëruar parimet e bashkimit, dinjitetit dhe lirisë. “Në qenien kombëtare shqiptare, liria dhe drejtësia nuk janë nocione të ndara, por dy dimensione të një parimi të vetëm moral. Liria pa drejtësi humb substancën e saj etike, ndërsa drejtësia pa liri kthehet në formalizëm të zbrazët,” – shkruan Çeku. Ai e përkufizon Shqipërinë si “arkitekturën morale të kombit”, ku sakrifica është shndërruar në ideal dhe dhimbja në vetëdije, ndërsa shteti – në një shprehje të shpirtit të lirë të popullit. Në vijim, ish-ministri Çeku vlerëson qëndrimin e institucioneve të Shqipërisë dhe të Kryeministrit shqiptar në mbështetje të protestës për lirimin e çlirimtarëve të Kosovës, duke e cilësuar atë si “shprehje të solidaritetit kombëtar dhe të bashkimit shpirtëror shqiptar. Çeku e mbyll reflektimin e tij me theksin se liria dhe drejtësia janë “dy anët e të njëjtës ndershmëri kombëtare” që Shqipëria e ka ruajtur si amanet të përjetshëm të historisë shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Zahrije Podrimqaku, mes lotësh para mediave rrëfen torturat nga gardiania Nadica Cvetkoviq

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarës Nadica Cvetkoviq, e …