Kryetari i komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati përmes një postimi në facebook, pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, përfshirë edhe sot ato të diasporës ka shprehur falënderimet më të sinqerta për siç shkruan ai fitoren përveç që është e madhe, po aq është edhe historike.
“Me mbi 52.51% të votave, të mbështetjes së qytetarëve, ju më keni dhënë nderin dhe besimin që të vazhdoj të udhëheq komunën tonë edhe për 4 vite të tjera. Ky është një moment i jashtëzakonshëm mirënjohjeje, emocioni dhe përgjegjësie që do ta mbaj gjithmonë afër.
Faleminderit nga zemra për çdo qytetar të komunës së Malishevës, në qytet, në çdo fshat e lagje të këtij vendi që e duam aq shumë. Ju do vazhdoni të jeni frymëzimi im dhe arsyeja pse çdo ditë punoj me përkushtim për zhvillimin dhe mirëqenien e secilit, pa dallim.
Por sot dua ta them me shumë krenari dhe emocion të veçantë; Faleminderit MËRGATA jonë e dashur, ku shumë prej jush erdhët nga larg, nga mërgimi, për t’u bërë pjesë e fitores sonë të përbashkët, për ta dhënë votën tuaj dhe për të dëshmuar se dashuria për vendlindjen nuk njeh kufij.
Mbështetja juaj e madhe është krenaria dhe forca e Malishevës, që gjithnjë ndjehet më e gjallë me ju.
Kjo fitore është historike, sepse është fitore e qytetarëve e mërgimtarëve të bashkuar të Malishevës, është fitore e punës dhe besimit. Kjo dëshmon se kur punohet me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri për vendin, njerëzit e ndjejnë dhe shpërblejnë me besim të madh.
Ju premtoj se do të vazhdojmë me punë të mira për komunën tonë, me projekte të mëdha për Malishevën Urbane dhe investime të fuqishme në çdo fshat, pa dallim.
Do të jem kryetar i të gjithëve, me përkushtim të plotë, transparencë dhe dashuri për qytetarët tanë kudo që janë, sepse bashkë kemi fituar dhe bashkë do ta çojmë përpara Malishevën tonë të dashur. Zoti na ndihmoftë në rrugën tonë për të mirën e Malishevës dhe të gjithë qytetarëve tanë, brenda dhe jashtë vendit!