Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj publikimit nga Albin Kurti të letrës së vitit 2022 drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë, duke e cilësuar këtë veprim si tentativë për të shmangur përgjegjësinë politike për rastin e Astrit Deharit. Haradinaj tha se publikimi i letrës nuk ka të bëjë me ndonjë përpjekje të sinqertë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, por me nevojën e Kurtit për të zhvendosur vëmendjen publike në ditën kur pritej të fliste për premtimet e pa mbajtura mbi zbardhjen e vrasjes së Deharit. “Letra mban datën e vitit 2022, por sot është dita e Astritit Deharit. Ai po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen për të larë sy e faqe. Nuk mund të quhet punë në heshtje kur e publikon pas tri vitesh, pikërisht në ditën që duhet të japësh përgjegjësi”, tha Haradinaj. Sipas tij, ky veprim është më shumë një manovër politike sesa shenjë përkushtimi ndaj drejtësisë. Haradinaj shtoi se, për tetë vjet në pushtet e opozitë, Kurti nuk ka dhënë asnjë rezultat konkret në zbardhjen e rastit Dehari, ndërsa tani po përpiqet të përdorë ndjenjat e qytetarëve dhe të veteranëve për përfitime elektorale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
