Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË - DËNIMET DRAKONIKE PËR JATAKËT E HASAN REMNIKUT (12)

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË – DËNIMET DRAKONIKE PËR JATAKËT E HASAN REMNIKUT (12)

Ngjarja e pritës në Bistricë, e cila mori jetët e Hasan Ali Remnikut dhe shokëve të tij, u përjetua nga popullsia shqiptare e Anamoravës e më gjerë si një tragjedi e përmasave kolektive. Pas saj, mbi këtë trevë u shtri një atmosferë e rëndë, e mbarsur me frikë dhe ankth, ku çdo ditë kalonte nën hijen e pasigurisë dhe të kërcënimit të vazhdueshëm. Çdo trokitje dere, çdo lëvizje e dyshimtë, ngjallte drojën se pas saj mund të fshihej një bastisje, një marrje në pyetje ose një arrestim i papritur.

Pushteti jugosllav, i vendosur të shuante çdo rrënjë të rezistencës, veproi pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë dallim. Arrestimet kryheshin në çdo orë të ditës e të natës, shpesh me dhunë dhe terror, duke përfshirë jo vetëm burra të aftë për luftë, por edhe gra, të rinj e të moshuar. Nuk kishte rëndësi mosha, gjinia apo statusi shoqëror – kushdo që dyshohej për simpati ndaj të rënëve, ose edhe vetëm për një fjalë të thënë në mbështetje të tyre, përfundonte nën dhunën e hetuesisë.

Në këtë klimë të terrorit të organizuar, synimi i pushtetit ishte i qartë: të shuhej çdo zë opozitar, të thyhej çdo formë solidariteti dhe të mbillej frika në rrënjët më të thella të jetës shoqërore. Frika duhej të bëhej pjesë e përditshme e jetës së shqiptarëve, një mjet i padukshëm kontrolli për t’i mbajtur të nënshtruar. Në këtë mënyrë, represioni nuk kufizohej vetëm në dënimin e individëve, por synonte të paralizonte tërë popullatën shqiptare, duke e lënë pa guxim dhe pa zë përballë padrejtësisë.

Në këtë mënyrë, tragjedia e rënies së Hasan Remnikut dhe shokëve të tij nuk u mbyll me plumbat e pritës në Bistricë, por vazhdoi si një kapitull i gjatë represioni që shtrihej përtej kufijve të individëve. Ajo u kthye në një mjet të pushtetit për të ushtruar dhunë sistematike, duke synuar jo vetëm ndëshkimin e atyre që kishin bashkëpunuar me ta, por edhe nënshtrimin dhe kontrollin e një popullsie të tërë.

Të dhënat e nxjerra nga fondet e Arkivit të Kosovës e dëshmojnë qartë këtë. Brenda një periudhe tepër të shkurtër kohore, organet e pushtetit organizuan një fushatë arrestimesh masive, ku mbi dyzet e një individë u vunë në pranga. Akuzat ndaj tyre ishin pothuajse identike: kishin ofruar strehim, kishin dhënë ndihmë logjistike, ushqime ose mbrojtje për Hasan Remnikun dhe grupin e tij. Në realitet, këto akuza nuk ishin gjë tjetër veçse përpjekje për të kriminalizuar ndjenjën e solidaritetit dhe mikpritjes, që për shqiptarët ishte pjesë organike e identitetit të tyre shoqëror.

Pas arrestimeve, të gjithë të dyshuarit u vunë përballë trupave gjykuese në procese të gjata dhe tërësisht të montuara. Në këto gjyqe nuk kërkohej e vërteta, nuk gjykohej drejtësia, por shfaqej një spektakël frikësimi. Qëllimi ishte i qartë të thyhej morali i njerëzve, të mbillej terrori dhe të dërgohej mesazhi se kushdo që guxonte të ndihmonte një luftëtar të lirisë do të përfundonte i shkatërruar bashkë me familjen e tij.

Në këtë kuptim, gjyqet nuk ishin vetëm instrumente represioni, por edhe pjesë e një strategjie të mirëmenduar për të de-legjitimuar dhe kriminalizuar çdo përpjekje të organizuar shqiptare. Duke e paraqitur ndihmën ndaj veprimtarëve të çështjes kombëtare si “krim kundër shtetit”, pushteti synonte të shkatërronte rrjetet e mbështetjes dhe të shuhej çdo formë qëndrese. Megjithatë, në vetëdijen e popullit shqiptar, këto dënime nuk prodhuan bindje, por përforcuan bindjen se liria kishte një çmim dhe se martirizimi i atdhetarëve ishte dëshmi e një sakrifice që nuk shuhet.

Në përpjekjen e tyre për të thyer shpirtin e rezistencës dhe për të shuar çdo zë kundërshtimi, gjykatësit e formuar në frymën e ideologjisë serbomadhe shpallnin dënime të ashpra e çnjerëzore, të cilat për nga përmasat e tyre ishin të krahasueshme vetëm me praktikat më represive të historisë. Vendimet e tyre varionin nga një vit i vetëm heqje lirie deri në shifra të pabesueshme, si 101 vjet burg, çka në vetvete dëshmonte jo thjesht për një masë ndëshkuese juridike, por për një akt politik të motivuar nga hakmarrja dhe urrejtja etnike. Për ata të paktë, por të guximshëm, që shprehën haptazi revoltën dhe pakënaqësinë e tyre ndaj sistemit represiv dhe ri-okupimit jugosllav, ndëshkimi shkonte edhe më tej – drejt aktit ekstrem e të pakthyeshëm të pushkatimit.

Sipas të dhënave statistikore dhe burimeve dokumentare që disponojmë, shuma e dënimeve të shqiptuara ndaj këtij grupi njerëzish kapte një total marramendës prej mbi 492 vjet e ,6 muaj burg. Ky ishte një numër që fliste vetë për përmasën e represionit, duke treguar se qëllimi kryesor nuk ishte vetëm izolimi fizik i individëve, por edhe paralizimi i plotë i shpresës kolektive. Në këtë kuadër të errët, tre figura u ndëshkuan me vdekje dhe u pushkatuan: Qazim Ismaili, Veli Ibrahim Ymeri dhe Ajdin Ali Shabani – emra që sot mbeten si simbol i sakrificës dhe qëndresës, të gdhendur në kujtesën historike të popullit shqiptar.

Nga aktet gjyqësore dhe listat zyrtare të dënimeve të marra nga burimet arkivore, del një panoramë e dhimbshme e një procesi represiv të mirëorganizuar, ku drejtësia ishte shndërruar në një instrument të pastër politik, me qëllim shuarjen e çdo forme të rezistencës shqiptare. Në këtë kontekst, para gjykatave u sollën dhjetëra burra, kryesisht bujq, punëtorë dhe qytetarë të thjeshtë, të cilët kishin guxuar të shprehnin ose hapur bindjet e tyre, ose të shfaqnin solidaritet me Hasan Remnikun dhe bashkëveprimtarët e tij.

Në listën e të dënuarve përfshihen emra që sot përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të kujtesës historike kolektive:

Arif Sherif Selmani, bujk nga Bresalci (1932), me 4 vjet burg;

Arif Sylejman Çollaku nga Remniku, me 101 vjet;

Azem Kadria, po ashtu me 101 vjet;

Baki Ali Aliu (1901), 7 vjet burg

Baki Maloku nga Remniku, me 7 vjet;

Daut Jakupi-Kepa (1891) nga Livoqi i Epërm, me 7 vjet;

Destan Muharremi (1920) nga Lybishti, me 4 vjet;

Elez Elezi me 8 vjet;

Fetah Xhelë Haradinaj me 13 vjet;

Hajdar Hajdini (1911) nga Gumnishti, me 3 vjet;

Hajdin Ali Godeni me 101 vjet;

Hamdi Hajrush Hajdari nga Remniku, me 1,6 vjet;

Haqif Uka me 8 vjet;

Ibush Hetem Bresalci me 7 vjet;

Isak Hazir Smaka me 1 vit;

Ismail Deli Muja (1911) nga Bresalci, me 7 vjet;

Ismail Qorrolli (1906) nga Bresalci, me 3 vjet;

Jahja Selim Halimi (1906) nga Remniku, me 1 vit;

Kadri Uruqi me 20 vjet;

Latif Hetem Haziri (1923) nga Bresalci, me 7,6 vjet;

Mehmet Imer Çollaku me 4 vjet;

Murat Abazi me 8 vjet;

Mustafë Rahimi (1918) nga Lybishti, me 4 vjet;

Namon Beqir Qorrolli (1911) nga Bresalci, me 3 vjet;

Ramadan Hoxha nga Cërnica, me 20 vjet;

Ramiz Fazli Misini (1917) nga Remniku, me 9 vjet;

Sabedin Uka me 8 vjet;

Sadik Vranoci (1921) nga Cërnica, me 3 vjet;

Sahit Abaz Rexha (1914) nga Bresalci, me 3 vjet;

Sejdi Selim Halimi (1908) nga Remniku, me 1,6 vjet;

Selim Ali Godeni me 101 vjet;

Selman Sherif Selimi me 2,6 vjet;

Sylë Fazlia me 15 vjet;

Shaip Hajdari nga Livoqi, me 8 vjet;

Shefket Mustafë Bunjaku (1919) nga Gjilani, rrobaqepës, me 4 vjet;

Shukri Hajriz Hajrizi (1920) nga Godeni, me 5 vjet;

Xhavit Qerim (1914) nga Remniku, me 4,6 vjet;

Xhymshit Bilinica me 4 vjet.

Në këtë listë kishte edhe raste ku dënimet u falën, si ai i Sali Ferizit, apo ku të pandehurit, pas hetimeve të ashpra e torturave, u liruan “pa faj”, siç ndodhi me Selman Ramë Selimin nga Bresalci dhe shumë të tjerë. Por, edhe pse të liruar, damka e armiqësisë ndaj pushtetit mbetej mbi ta, duke i ndjekur gjatë gjithë jetës. Kjo seri e gjatë dënimesh, e shoqëruar me vuajtje fizike e shkatërrim moral, nuk ishte thjesht një akt ligjor – ishte pjesë e një strategjie të gjerë politike për të thyer strukturën e solidaritetit shqiptar, për të mbjellë frikë dhe për të ndëshkuar çdo formë të guximit qytetar.

Edhe me vdekje- pushkatim dënoheshin shqiptaret

Nëse e shohim me syrin e analizës historike, një nga ngjarjet më tronditëse që përjetoi Anamorava në fillim të viteve ’50 ishte padyshim procesi gjyqësor i mbajtur më 24–28 dhjetor 1951 në Gjykatën e Qarkut në Gjilan. Ky proces nuk ishte thjesht një ngjarje juridike, por një skenar i përgatitur me pompozitet të tejskajshëm, që kishte për synim të përhapte frikë dhe pasiguri në çdo fshat të Karadakut. Burgosja e shtatë personave u shoqërua me një fushatë të gjerë presionesh, ku dhjetëra të tjerë u thirrën për marrje në pyetje dhe biseda “informative”, me qëllim që të dëshmonin lidhjet e tyre, reale apo të supozuara, me Hasan Remnikun dhe grupin e tij.

Ky proces shënoi një moment kthesë në jetën e popullatës lokale. Për herë të parë, frika nuk kufizohej vetëm tek të përfshirët drejtpërdrejt, por u shtri mbi tërë shqiptaret e asaj ane. Bandat policore që bridhnin fshatrave, duke kërkuar gjurmë të lidhjeve me ilegalen shqiptare, shndërruan Karadakun në një hapësirë terrori të vazhdueshëm. Një pjesë e atyre që kishin pasur kontakte me Hasan Remnikun – qofshin këto të qëllimshme apo rastësore – e panë të vetmen rrugëdalje në largimin nga vendlindja, duke gjetur shpëtim përtej kufijve të ish-Jugosllavisë. Ata që nuk patën mundësi të arratiseshin, përfunduan në duart e organeve të ndjekjes. U arrestuan, u nxorën në gjyqe farsë dhe u dënuan me shumë vite burg, ndërsa disa prej tyre u pushkatuan pa pasur asnjë faj real.

Ky ishte një realitet tragjik që nuk i linte shqiptarët vetëm të izoluar e të nënshtruar, por edhe të damkosur si “armiq të shtetit”, vetëm sepse kishin guxuar të ëndërronin një të ardhme tjetër. “Mëkati” i tyre më i madh ishte përpjekja për t’u organizuar ilegalisht, për të kërkuar pavarësinë e Kosovës dhe për të mbajtur gjallë idealin e bashkimit me shtetin amë. Kjo u mjaftoi organeve shtetërore për t’i shpallur fajtorë dhe për t’i dënuar me burg ose me plumb, duke treguar se drejtësia e kohës nuk ishte asgjë tjetër veçse një instrument i pushtetit për të thyer shpirtin e rezistencës shqiptare.

Në këndvështrim shkencor, ky proces gjyqësor nuk ishte një rast i izoluar, por pjesë e strategjisë së gjerë të Jugosllavisë për ta shuar çdo formë të lëvizjes ilegale shqiptare. Duke përdorur metoda represive – nga terrori policor deri te gjyqet farsë – pushteti synonte jo vetëm eliminimin fizik të bartësve të rezistencës, por edhe krijimin e një atmosfere frike kolektive, ku vetë kontakti me një figurë ilegale të kthehej në arsye për ndëshkim.

Pas likuidimit të Hasan Remnikut në pritën e Bistricës, organet e pushtetit e vijuan ofensivën e tyre represive përmes mjeteve juridike, duke organizuar një proces gjyqësor të bujshëm në Gjykatën e Qarkut në Gjilan. Para trupit gjykues, të përbërë nga kryetari i gjykatës, Ratomir Paternogiq, gjykatësit porotnikë Ibrahim Qerimi e Jusuf Shabija, si dhe procesmbajtësi Sllobodan Zhivkoviq, u zhvillua një gjyq që mbajti të gozhduar jo vetëm të pandehurit, por edhe tërë popullsinë e Anamoravës.

Ky proces, i cili zgjati katër ditë, ishte më shumë se një ngjarje gjyqësore – ishte një demonstrim i hapur i fuqisë shtetërore dhe një përpjekje për të shuar çdo shpresë rezistence. Më 29 dhjetor 1951, duke u mbështetur në dispozitat e Kodit Penal të Jugosllavisë, konkretisht në nenet 244, 248, 249 dhe 250, u shpall aktgjykimi që do të shënonte një nga momentet më të errëta në historinë e Anamoravës.

Rezultati ishte drakonik: tre prej të akuzuarve u dënuan me vdekje – pushkatim, ndërsa katër të tjerët u dënuan me shumë vite burg të rëndë. Këto dënime, më të ashprat që ishin shqiptuar deri atëherë në këtë gjykat, kishin një funksion të dyfishtë. Nga njëra anë, synonin të eliminojnë fizikisht individë të konsideruar rrezik për rendin e ri politik, nga ana tjetër, shërbenin si një mesazh frikësues për të gjithë popullsinë, për t’i bërë të qartë se çdo përpjekje për organizim ilegal do të ndëshkohej me ashpërsinë më të madhe të mundshme.

Në një analizë më të gjerë shkencore, ky proces gjyqësor nuk mund të shihet thjesht si një akt drejtësie, por si pjesë e aparatit represiv të shtetit jugosllav, i cili përdorte gjykatat si instrument politik për të konsoliduar pushtetin e vet. Duke i shndërruar gjyqet në skena të ndëshkimit publik, pushteti përpiqej të fuste panik, të thyente moralin e shoqërisë dhe të asgjësonte çdo embrion të rezistencës kombëtare. Në këtë kuptim, aktgjykimi i dhjetorit 1951 mbetet një dëshmi historike e mënyrës se si drejtësia u përdor si mjet politik, duke e zhveshur atë nga parimi themelor i saj – mbrojtja e së drejtës dhe e lirisë.

Të dhënat historike dëshmojnë se shtatë personat e arrestuar u kapën dhe u futën në burg brenda një intervali tepër të shkurtër kohor, nga 15 deri më 17 tetor 1951. Ajo që bie në sy është fakti se, pa kaluar as disa javë të plota në hetuesi, ata tashmë ishin nxjerrë para gjyqit. Një shpejtësi e tillë procedurale, e pazakontë për një proces normal ligjor, ngre dyshime serioze mbi natyrën e hetimeve dhe mbi respektimin e të drejtave elementare të të akuzuarve.

Dëshmitarët e kohës rrëfejnë se të pandehurit, në momentin kur u sollën në sallën e gjyqit, ishin të dërmuar fizikisht dhe shpirtërisht. Shfaqeshin të lodhur deri në kufijtë e alivanosjes, të dobësuar e të thyer nga qëndrimi në hetuesi. Kjo gjendje, e vërejtur haptazi, ishte tregues i qartë i trajtimit çnjerëzor, i presioneve të vazhdueshme dhe, sipas shumë gjasash, i përdorimit të metodave të dhunës për të marrë rrëfime të detyruara.

Atmosfera e gjyqit ishte po aq represive sa edhe hetuesia. Përveç anëtarëve të ngushtë të familjes, askush nuk u lejua të hynte në sallë. Ky izolim i qëllimshëm kishte për qëllim të shmangte praninë e publikut dhe të fshihte nga opinioni gjendjen reale të të akuzuarve. Ndërkohë, forcat e sigurisë ishin të dukshme në çdo cep të qytetit, kordonet policore rrethonin gjykatën, dhe çdo kalimtar i rastit bastisej deri në detaje, madje deri në kontrollin e rrobave të trupit.

Pamja më tronditëse, që dëshmitarët e kujtojnë me dhimbje, ishte ardhja e të burgosurve në sallë. Ata ecnin ngadalë, të rraskapitur, duke zvarritur këmbët e lidhura me pranga të rënda. Ky imazh i gjallë përmbledh jo vetëm gjendjen e tyre individuale, por edhe simbolikën e një procesi që nuk kishte në thelb drejtësinë, por nënshtrimin dhe frikësimin e gjithë komunitetit.

Në këtë këndvështrim shkencor, ky episod është shembull i qartë i funksionimit të një drejtësie represive, ku procedurat juridike nuk ishin të orientuara nga ligji, por nga interesat politike të regjimit. Shpejtësia e hetimeve, izolimi i të akuzuarve, rrethimi policor dhe gjendja e tyre fizike e psikike, dëshmojnë se procesi nuk ishte një gjykim në kuptimin juridik të fjalës, por një ritual i ndëshkimit publik, i projektuar për të dhënë një mesazh të qartë frike dhe disipline politike.

Pamja që shpaloset nga përshkrimet e procesit gjyqësor është e ngarkuar me dramë dhe me një simbolikë të hidhur pushteti. Fytyra e gjykatësit Ratomir Paternogiq, sipas dëshmitarëve, rrezatonte një lloj triumfi të ftohtë dhe arrogant në çastin kur ai lexonte emrat e të burgosurve. Tonaliteti i tij, i mbushur me mburrje prej “fitimtari”, e bënte aktin e shqiptimit të dënimeve jo thjesht një procedurë gjyqësore, por një skenë të regjistruar ku pushteti shfaqte forcën e vet përmes nënshtrimit të palës së akuzuar.

Shqiptimi i dënimeve kapitale – vrasje me pushkatim – ra si rrufe mbi familjarët e të pandehurve. Sallën e ngushtë, tashmë të mbushur me tension, e përshkuan ofkëllima të rënda, të cilat jo vetëm që shprehën tronditjen dhe dhimbjen e menjëhershme, por krijuan edhe një atmosferë mbytëse ku frika, dëshpërimi dhe pafuqia u përzien në një të vetme. Kjo gjendje e jashtëzakonshme emocionale e bënte sallën edhe më të vogël, edhe më të ngushtë, duke e kthyer në një hapësirë simbolike ku përplaseshin forca të pabarabarta, aparati i pushtetit nga njëra anë, dhe dhimbja njerëzore e familjeve shqiptare nga ana tjetër.

Nga një perspektivë shkencore, ky moment përfaqëson thelbin e një drejtësie spektakulare – ku gjykata nuk funksiononte si një institucion neutral i ligjit, por si një skenë politike ku pushteti shfaqej në formën më të zhveshur të tij, si triumf i dhunës mbi jetën njerëzore. Vetë sjellja e gjykatësit, e ngarkuar me mburrje, dëshmon se dënimet nuk ishin rezultat i një procesi të drejtë, por një akt i paramenduar ndëshkimi dhe frikësimi kolektiv.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Publike e Qarkut në Gjilan ndaj të akuzuarve ishte e rëndë dhe e ndërtuar mbi një narrativë të gjerë kriminalizimi të veprimtarisë së tyre. Të gjithë të burgosurit akuzoheshin se, gjatë një periudhe disa vjeçare – përkatësisht në vitet 1948, 1949, 1950 dhe deri më 1951 – kishin mbajtur lidhje të vazhdueshme me figura kyçe të rezistencës ilegale shqiptare. Emrat që përmendeshin në aktakuzë ishin Hasan Aliu nga Remniku, Agush Hetem Mehmeti nga Bresalci dhe Mustafa Rashiti, i njohur me nofkën “Koka”, mësues po ashtu nga Remniku. Sipas prokurorisë, këto lidhje kishin zgjatur deri më 10 tetor 1951, deri në ditën e likuidimit të grupit në Prizren.

Ajo që theksohej veçanërisht ishte fakti se të akuzuarit kishin zhvilluar takime të rregullta dhe të fshehta me këta udhëheqës ilegalë, shpeshherë në malet përreth Gjilanit dhe Kamenicës, duke përdorur terrene të vështira e të paarritshme për t’u fshehur nga organet e pushtetit. Përveç kësaj, sipas aktakuzës, një pjesë e madhe e këtyre takimeve organizohej edhe në shtëpitë e të pandehurve, të cilat ishin shndërruar në strehë të sigurta për ilegalët.

Në këtë mënyrë, sipas pretendimeve të pushtetit, të akuzuarit kishin ndërtuar një rrjet të gjerë dhe të konsoliduar jatakësh, të cilët garantonin jo vetëm mbijetesën e ilegalëve, por edhe vazhdimësinë e lëvizjes në kushte jashtëzakonisht të vështira. Ky rrjet i strehimit dhe i mbështetjes, i shtrirë në shumë zona të Kosovës, ishte paraqitur si prova më e fortë e bashkëpunimit të tyre me të arratisurit dhe, si rrjedhojë, justifikim për akuzat e rënda që rëndonin mbi ta.

Kjo aktakuzë shfaqet jo thjesht si një dokument ligjor, por si një pjesë e mekanizmit represiv të kohës, ku çdo lidhje njerëzore, mikpritje tradicionale apo akt solidariteti, interpretohej nga pushteti si krim kundër shtetit. Në këtë kuptim, prokuroria nuk po gjykonte vetëm individë, por një kulturë të tërë rezistence e solidariteti që kishte rrënjë të thella në shoqërinë shqiptare.

Sipas dëshmive historike, roli i jatakëve del si një hallkë vendimtare në mbijetesën dhe funksionimin e lëvizjeve ilegale. Ata ishin ata që krijonin kushtet elementare të sigurisë për të arratisurit, streha e tyre bëhej një fortesë e fshehur, ku ilegalët gjenin jo vetëm mbrojtje, por edhe ushqim të bollshëm e veshmbathje të domosdoshme. Në raste të caktuara, jatakët shkonin edhe më tej duke u siguruar armë, duke e bërë këtë bashkëpunim jo thjesht një akt mikpritjeje tradicionale, por një mbështetje të drejtpërdrejtë për vazhdimësinë e rezistencës.

Ajo që ka një rëndësi edhe më të madhe është se, përtej nevojave materiale, jatakët kishin edhe funksion strategjik. Ata shpeshherë dezinformonin organet e ndjekjes, duke i çuar në gjurmë të rreme dhe duke i bërë të besonin se Hasan Remniku dhe shokët e tij nuk ndodheshin në ato anë. Kjo mbrojtje aktive, që vinte nga një besnikëri e pathyeshme, i siguronte grupit hapësirë për të vepruar dhe për të mbajtur gjallë organizimin e tyre në një kohë kur aparati shtetëror kishte shtrirë kudo rrjetin e kontrollit.

Në këtë mënyrë, falë ndihmës së jatakëve të përkushtuar që gjendeshin në çdo vend e në çdo kohë, grupi i Hasan Remnikut arriti të zgjasë jetën e tij ilegale përtej pritshmërisë të pushtetit. Ata u bënë jo vetëm streha e trupit, por edhe mburoja e idealit, duke dëshmuar se solidariteti dhe besa shqiptare ishin po aq të forta sa edhe armët që mbanin në dorë luftëtarët.

Në një këndvështrim të këtillë, mund të thuhet se jatakët ishin shtylla e padukshme mbi të cilën qëndronte rezistenca, të heshtur, të panjohur, shpesh të harruar nga historiografia, por vendimtarë për jetëgjatësinë e një lëvizjeje që përndryshe do të ishte shuar shumë më shpejt.

Në listën e gjatë të të dënuarve, i pari që figuron është Veli Ibrahim Ymeri. Ai kishte lindur më 1899 në fshatin Ponesh, nga babai Ibrahim dhe nëna Fahrije, e lindur Velekinca. Jeta e tij nuk dallonte nga ajo e shumicës së fshatarëve shqiptarë të asaj kohe. Ishte burrë i martuar, baba i katër fëmijëve, i përkushtuar ndaj familjes dhe punës së tokës. I varfër dhe analfabet, Velia jetonte thjesht, me djersën e ballit, duke mbajtur me mund ekzistencën e familjes së tij.

E megjithatë, ky njeri i zakonshëm, pa pushtet e pa shkollë, u shënjestrua nga organet e sigurimit shtetëror dhe u arrestua më 16 tetor 1951 – vetëm pesë ditë pas likuidimit të Hasan Remnikut dhe grupit të tij. Ky fakt dëshmon se aparati shtetëror nuk ndalej vetëm tek figurat kryesore të rezistencës, por zgjaste dorën ndëshkuese edhe ndaj njerëzve të thjeshtë, shpesh vetëm për shkak të njohjeve, afërsive apo dyshimeve të krijuara artificialisht.

Vijon

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË - ROLI I GRAVE JATAKE SHQIPTARE NË REZISTENCËN KOMBËTARE (4)

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË – ROLI I GRAVE JATAKE SHQIPTARE NË REZISTENCËN KOMBËTARE (4)

Llojet e strehimeve të ilegales Në historinë e përpjekjeve për liri të shqiptarëve në Kosovë, …