Sadik Halitjaha

Thirrje nga Sadik Halitjaha: Kuvendi i Kosovës u konstituua, tani duhet ta nxjerrë një rezolutë të këtillë sa më parë, sa nuk u bë tepër vonë! E nesërmja na pyet: ku ishit dje!

Deklaratë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë: Për pafajësinë e udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në ushtrimin e kompetencave të veta kushtetuese dhe në përmbushje të rolit të vet si përfaqësues i vullnetit të popullit shqiptar, shpreh shqetësimin e thellë për kërkesën përfundimtare të Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Kuvendi i Shqipërisë, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime çlirimtare, që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, për liri, dinjitet dhe vetëvendosje të popullit të Kosovës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb të Millosheviçit, i cili kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.

Për këtë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë deklaron:

  1. Mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte luftë e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut.

  2. Kërkesën drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm, që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mos lejuar që instrumentet e drejtësisë të shndërrohen në mjete për rishkrimin e historisë apo për barazimin e viktimës me agresorin.

  3. Kujtimin ndaj bashkësisë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik, krime sistematike kundër njerëzimit dhe akte gjenocidiale ndaj popullatës civile të Kosovës, dhe se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit të Millosheviçit.

  4. Vlerësimin e lartë për dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes, si Wesley Clark dhe James Rubin, të cilët konfirmuan të drejtën e popullit të Kosovës dhe të udhëheqësve të tyre për liri.

  5. Solidaritetin e plotë me popullin e Kosovës dhe me familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke ritheksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtjen e të vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri.

  6. Angazhimin për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forume ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën çlirimtare të Kosovës të mos cenohet dhe që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë u bën thirrje institucioneve të shtetit shqiptar, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe diasporës shqiptare që të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtjen e së vërtetës, dinjitetit dhe drejtësisë për popullin e Kosovës dhe për drejtuesit e luftës së tyre çlirimtare: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë u rekomandon qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë veprimet për denoncimin ndërkombëtar të krimeve serbe.

Kjo deklaratë pasqyron vullnetin unanim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe i transmetohet Dhomave të Specializuara në Hagë, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Parlamentit Evropian, asambleve parlamentare të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe të gjitha qeverive mike dhe partnere.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …