Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar Bedri Hamzën pas zgjedhjes së tij në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, duke e vlerësuar këtë ndryshim si një moment me rëndësi për skenën politike kosovare. Në reagimin e tij, Ahmeti e cilësoi PDK-në si një parti me rol thelbësor në historinë e shtetndërtimit të Kosovës dhe si trashëgimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Partia Demokratike e Kosovës është parti shtetformuese dhe trashëguese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe pjesë e rëndësishme përbërëse dhe kontribuese e pluralizmit të pasluftës në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti. Ai i uroi Hamzës suksese në drejtimin e PDK-së, duke i dëshiruar shëndet, mbarësi dhe rezultate të mira për të mirën e Kosovës dhe rajonit. “Uroj z. Bedri Hamza për zgjedhjen e tij Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në Konventën partiake, duke i dëshiruar shumë shëndet, suksese dhe mbarësi në punën e tij për të mirën e Kosovës dhe të rajonit”, theksoi lideri i BDI-së. Ahmeti nuk la pa përshëndetur edhe ish-kryetarin Memli Krasniqi, të cilin e vlerësoi për udhëheqjen e tij në periudha sfiduese dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer. “Falemnderoj z. Memli Krasniqi, Kryetarin e deritanishëm, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe për guximin e marrjes së përgjegjësisë për drejtimin e PDK-së në kohëra shumë të vështira”, përmbylli Ahmeti.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
