Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, në vigjilje të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, janë organizuar një sërë aktivitetesh për të shënuar festat e Nëntorit, përkatësisht katër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar: ngritjen e flamurit në Krujë (1443), Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), datëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari (1955) dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1997).
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, sot në Malishevë është mbajtur një mbledhje solemne, ku kanë marrë pjesë përfaqësues institucionalë, shoqata të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve, si dhe qytetarë. Pas mbledhjes është bërë vendosja e kurorave me lule dhe janë zhvilluar homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe në Kleçkë.
Në fjalën e rastit, Kryetari i Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, e cilësoi muajin nëntor si muaj të veçantë për historinë dhe identitetin kombëtar, duke nënvizuar rëndësinë e sakrificës për liri nëpër shekuj. “Flamuri është amaneti ynë, nën dhe për të cilin luftuam dhe të cilin e mbrojtëm me gjak, duke dhënë jetën shumë dëshmorë”, tha kryetari Kastrati, cili më pas foli në mënyrë kronologjike për përpjekjet e kombit shqiptar për çlirim e liri, që nga Skënderbeu e deri në çlirimin e Kosovës, si dhe për kontributin e Malishevës në të gjitha ngjarjet historike. “Kjo festë do të jetë edhe më e bukur me kthimin e çlirimtarëve tanë, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë”, tha mes tjerash Ekrem Kastrati, i cili edhe i uroi të gjithë popullin shqiptar me rastin e festave të Nëntorit. “Gëzuar festën e 28 Nëntorit”.

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
