Në Ngucat vendosen pllakat përkujtimore në nderim të rrënjëve të lirisë

Në nder të Ditës së Flamurit, ditëlindjes së Komandant Adem Jasharit dhe daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot në fshatin Ngucat u përkujtuar dhe u nderua trashëgimia e lirisë, sakrifica dhe atdhedashuria e brezave që e bënë të shenjtë këtë ditë të historisë sonë kombëtare.

Aty sot u vendosën pllakat përkujtimore në nderim të bacës Qazim Maliq Shala dhe familjes Hajrush Destan Gashi, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në rrugën e lirisë së Kosovës.

Në aktivitet morën pjesë; Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, njëherit kreu i Nismës Socialdemokrate, Komandant Çeliku – Fatmir Limaj, Kryetari i O.V.L. UÇK-së, Dega Malishevë, z. Metush Kryeziu, përfaqësues të strukturave udhëheqëse të fshatit Ngucat, familje dëshmorësh, veteranë, invalidë të luftës dhe shumë bashkëvendës.

Në fjalët e tyre të rastit, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, duke nënvizuar se Ngucati mbetet vend i sakrificës dhe i krenarisë kombëtare, ku kujtesa për të kaluarën vazhdon të forcojë lidhjen tonë me lirinë dhe të ardhmen e Kosovës.

Komuna e Malishevës falënderon të gjithë pjesëmarrësit për respektin, bashkëpunimin dhe nderimin e kujtesës së figurave dhe familjeve që kontribuuan për lirinë e vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti uron 28 Nëntorin – Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar

Kryetari i Vitisë, z. Sokol Haliti me rastin e festave të Nëntorit ka uruar këtë …