Pas aplikimit të Nismës në KQZ për t’u certifikuar si subjekt i vetëm politik në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka reaguar ish-deputetja e kësaj partie, Xhevahire Izmaku. Ajo theksoi se vendimi për të garuar të vetmuar vjen në një moment sfidues për vendin, ndërsa nënvizoi se rruga e Nismës mbetet e bazuar në vlera dhe përgjegjësi politike. Në këtë kohë sfidash për vendin, kujtojmë se politika ka kuptim vetëm kur ndërtohet mbi vlera, sakrificë dhe tolerancë. Me Fatmir Limajn, liderin që gjithmonë ka ditur të afrojë njerëz, të bashkojë mendime dhe të ndërtojë ura komunikimi, rruga jonë politike mbetet e drejtë, e matur dhe e përgjegjshme”, shkroi Izmaku. Ajo e cilësoi Limajn si “vlerë të gjallë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, duke shtuar se ai mishëron sakrificën, qëndresën dhe dinjitetin mbi të cilat është ndërtuar liria e vendit. Sipas saj, zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë vetëm garë politike, por “provë e karakterit të shoqërisë”, ndërsa qytetarët kanë nevojë për lidership që afron, dëgjon dhe bashkon. Vendimi i Nismës për të garuar e vetme vjen pas pritjeve se mund të krijohej një koalicion parazgjedhor me LDK-në ose PDK-në e Bedri Hamzës, megjithatë partia ka zgjedhur të ecë e pavarur në këtë proces elektoral. “Kosova ndërtohet mbi vlera, dhe këto vlera nuk i tradhtojmë”, përfundoi Izmaku në reagimin e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
