Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të lejuar votimin në objekte private në diasporë, kërkesë e cila u rrëzua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Lushaku-Sadriu i quajti përfaqësuesit e LV-së “analfabetë politikë” dhe kritikoi ashpër tentativën e tyre për të zhvilluar votime në salla dasmash dhe banesa të militantëve. Ajo theksoi se vota e diasporës është e shenjtë dhe kërkon mbrojtje shtetërore. “Problemi kryesor i tyre është vetë shteti; këta nuk e duan shtetin me rregulla, prandaj duan t’i prishin rregullat për ta prishur Kosovën. Harrojeni! Shteti i Kosovës është i përjetshëm! Vota e mërgimtarëve meriton mbrojtje shtetërore”, shkroi Lushaku-Sadriu. Reagimi i saj reflekton tensionin politik të krijuar pas vendimit të PZAP-it, që ka konfirmuar se votimi në diasporë mund të zhvillohet vetëm në ambasada dhe konsullata, duke siguruar integritetin dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
