Publicisti Behxhet Shala, ka reaguar ashpër pas festimeve të 28 Nëntorit në Kosovë, duke akuzuar Vetëvendosjen dhe përfaqësues të saj për përdhosje të vlerave kombëtare. Në një shkrim të publikuar sot, ai e cilëson Ditën e Flamurit në Kosovë si “festë të horrave”, ndërsa kritikon ashpër vizitat dhe paraqitjet publike të figurave të VV-së në Prekaz, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. Shala thotë se Prekazi, “tempulli i sakrificës kombëtare”, është keqpërdorur nga politikanë që, sipas tij, nuk kanë asnjë lidhje me luftën e UÇK-së. Ai përmend emra të ministrave dhe deputetëve të VV-së që, siç thotë, “nuk kanë asnjë kontribut kombëtar, përveç trashëgimisë familjare që e shfrytëzojnë për pushtet”. Në shkrimin e tij, ai kritikon edhe presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti për paraqitjet e tyre në Shqipëri, duke i akuzuar për “patriotizëm të rremë” dhe për, siç thotë, lidhje më të ngushta me Listën Serbe sesa me aleatët shqiptarë. Shala akuzon Qeverinë Kurti se po e çon Kosovën drejt “federalizimit me vet menaxhim” dhe e quan KQZ-në “vegël të pushtetit për manipulim”. Ai e përmbyll reagimin me kritika të rënda ndaj mënyrës se si u shënua 28 Nëntori, ndërsa thekson se figura të luftës po festojnë në Hagë, ndërsa “pushteti aktual përdhos simbolet kombëtare”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
