Edward P. Joseph: Serbia në NATO do të ishte fundosja e ‘Moskva-s’ në Ballkan Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, ka deklaruar se anëtarësimi i mundshëm i Serbisë në NATO do të përbënte “ekuivalentin ballkanik të fundosjes së Moskva-s”, duke thënë se Beogradi është “anija luftarake” përmes së cilës Rusia projekton ndikimin e saj në rajon. Në një intervistë për REL, ai vlerësoi se një afrimi i Serbisë me NATO-n do t’i shkaktonte një tronditje të madhe strategjike Moskës dhe Pekinit, të cilët e konsiderojnë Beogradin si pikën kyçe të ndikimit të tyre në Ballkan. Sipas tij, megjithëse Serbia ka simpati të mëdha pro-ruse brenda vendit, disa faktorë mund ta shtyjnë presidentin Aleksandar Vuçiq drejt një kthese historike – sidomos një ofertë e mundshme nga Donald Trump, i cili gëzon popullaritet të madh në Serbi. Joseph theksoi se Vuçiq është i dobësuar politikisht nga protestat e vazhdueshme, dhe një hap kaq i madh do të ndryshonte krejt dinamikën e brendshme. Ai shtoi se Serbia është e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s dhe se shumë gjeneralë serbë privatisht do ta mbështesin anëtarësimin. Në analizë, eksperti u ndal edhe te njohja e Kosovës, duke paralajmëruar se Greqia mund ta njohë sapo të finalizohet statuti i Asociacionit, e më pas të hapet rruga për Rumaninë, Sllovakinë e Spanjën. Sipas tij, Ballkani mund të hyjë në një fazë të re stabiliteti brenda tre vjetësh.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
