Ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës ka ndarë mbi një milion euro kohëve të fundit për tre tenderë një-burimorë, duke ngritur pyetje serioze për transparencën dhe konkurrencën në prokurimet publike. Tenderi më i madh, me vlerë 1,1 milion euro, ka të bëjë me të drejtat e transmetimit të Kupës së Botës 2026 dhe është lidhur me kompaninë Dividend Shpk, pronar i së cilës është Alban Jaho, ish-drejtor i ‘Digitalb’ në Tiranë. Jaho u shkarkua nga detyra në 2019 pas shkeljeve të rënda të konstatuara në kompani, por përsëri përfiton kontratë publike në Kosovë. Dy tenderët e tjerë një-burimorë janë ndarë për kompaninë Verso Altima D.O.O, me seli në Kroaci, për mirëmbajtje të platformës së CRM-it dhe shërbime elektronike informacioni. Vlera e këtyre kontratave arrin afro 223 mijë euro, ndërsa shërbimet pritet të ofrohen nga jashtë Kosovës. Hetuesia ka intervistuar disa anëtarë të menaxhmentit të Telekomit për mënyrën e lidhjes së këtyre kontratave. Kritikët e prokurimeve publike paralajmërojnë se tenderët një-burimorë, veçanërisht kur përfshijnë kompani me histori kontestimesh, rrisin dyshimet për mungesë konkurrence dhe nepotizëm. / insajderi/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
