Enriko Ceko

Dr. Enriko Ceko: Paqja Fiskale ngre shumë më shumë pikëpyetje sesa jep zgjidhje reale dhe të vlefshme për Shqipërinë dhe shqiptarët

– Një nismë shumë problematike nga këndvështrimi ekonomik, ligjor, etik dhe moral.

– Një falje detyrimesh në vlerë rreth 1.6 miliard eurosh pa publikuar listën e përfituesve, e minon drejtpërdrejt dhe tërësisht besimin publik.

– Justifikimi me “mbrojtjen e të dhënave personale” nuk qëndron sepse nuk flasim për qytetarë të zakonshëm, por për interes publik madhor dhe për subjekte që kanë detyrime ndaj shtetit.

– Në mungesë të filtrave të fortë dhe kontrollit real mbi origjinën e fondeve, krijon hapësirë të madhe që kapitalet informale ose të paligjshme të legalizohen përmes një mekanizmi shtetëror

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Qeveria i ka vënë vetes një objektiv ambicioz: të “pajtohet” me biznesin. Dhe këtë pajtim kërkon ta arrijë përmes një nisme të re që e ka quajtur Paqja Fiskale, në formën e një lloj marrëveshjeje të madhe kombëtare ku, sipas narrativës zyrtare, bizneset do të çlirohen nga ngarkesat e së kaluarës, duke nisur një kapitull të ri me shtetin. Në teori, një ide paqtuese. Në praktikë, një burim i ri tensioni.

Përtej emrit të butë, nisma ka ndezur një debat të fortë, fillimisht nga institucionet ndërkombëtare, si FMN-ja, e cila paralajmëroi qartë rreziqet për sistemin fiskal dhe për kulturën e respektimit të ligjit. Për këtë problem kaq të shumë diskutuar ekskluzivisht për  Telegraf ju drejtuam Dr, Enriko Ceko , një prej ekspertëve më në zë të ekonomisë në Shqipëri…

  1. Enriko! Nisma e qeverisë për të ashtuquajturën “paqe fiskale”, e cila parashikon faljen e rreth 1 miliard eurove në detyrime të papaguara, po përballet me kritika të ashpra nga ekspertët dhe opozita. Disa ekspertë janë shprehur se mungesa e theksuar e transparencës, rrezikon ta kthejë këtë proces në një mekanizëm për pastrimin e parave dhe favorizimin e bizneseve klienteliste, duke i shkaktuar një dëm afatgjatë ekonomisë së vendit, e cila tashmë jep shenja alarmante. Disa e cilësojnë nismën thjesht si një “amnisti fiskale me emër të ndryshuar”, ku mekanizmi mbetet i njëjti: falja e taksave dhe gjobave të vendosura nga institucionet shtetërore. Problemi kryesor, sipas tyre, qëndron te mungesa totale e transparencës, ku qeveria ka refuzuar të bëjë publike listën e individëve dhe kompanive që do të përfitojnë, duke u justifikuar me mbrojtjen e të dhënave personale. Mendimi juaj?

-Mendoj se në thelb, kjo nismë ngre shumë më shumë pikëpyetje sesa jep zgjidhje reale dhe të vlefshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Edhe pse kjo nismë po paraqitet përpara shqiptarëve si një instrument për formalizim dhe rritje të të ardhurave, mënyra se si është konceptuar (dhe se si është komunikuar në publik) e bën atë shumë problematike nga këndvështrimi ekonomik, ligjor, etik dhe moral.

Së pari – transparenca.

Një falje detyrimesh në vlerë rreth 1.6 miliard eurosh (sipas specialistëve që janë marrë me këtë çështje – që askush nuk e di se cilët janë këta specialistë, një problem tjetër ky, si zakonisht kur nuk deklarohet se cilët janë ekspertët e specialistët, që thirren për të dhënë zgjidhje profesionale), pa publikuar listën e përfituesve, e minon drejtpërdrejt dhe tërësisht besimin publik. Justifikimi me “mbrojtjen e të dhënave personale” nuk qëndron plotësisht, sepse këtu nuk flasim për qytetarë të zakonshëm, por për interes publik madhor dhe për subjekte që kanë detyrime ndaj shtetit. Nga pikëpamja profesionale dhe referuar ligjit 124/2024 Për mbrojtjen e të dhënave personale në territorin e Republikës së Shqipërisë, “të dhëna personale konsiderohen të tëra ato të dhëna, që mund të shërbejnë për identifikimin e subjektit” dhe në rastin në fjalë identifikimi i subjekteve që kanë probleme me ligjin, përfshirë edhe aspektet fiskale i bën mirë publikut pasi shtohet besimi te ata që nuk janë në listë dhe që respektojnë ligjin. Nga ana tjetër, subjektet që përfshihen në listë dhe bëhet publik emri i tyre, duhet të mbledhin mendjen se nëse përfshihen përsëri në skema të tilla atëhere dënimi do jetë shumë i rëndë dhe maksimal. Pra nuk është çështje të dhënash personale, por çështje etike dhe morali, dhe në këtë pikë ne si shoqëri duhet të biem dakord të respektojmë ligjin, moralin dhe etikën.

Së dyti – rreziku i pastrimit të parave dhe rreziku i padrejtësive fiskale.

Në mungesë të filtrave të fortë dhe kontrollit real mbi origjinën e fondeve, kjo nismë krijon hapësirë të madhe që kapitalet informale ose të paligjshme të legalizohen përmes një mekanizmi shtetëror, duke e kthyer “paqen fiskale” në një kanal të rrezikshëm për ekonominë formale dhe ky është në fakt një rrezik real dhe i frikshëm. Bizneset dhe individët që kanë paguar rregullisht taksat ndëshkohen moralisht, ndërsa ata që kanë shmangur detyrimet shpërblehen. Kjo krijon një precedent të keq dhe një mesazh të rrezikshëm: mos paguaj sot, sepse nesër do të falen. Është pikërisht rasti i Brazilit, kur paqja fiskale u vu në zbatim, ata që kishin thyer ligjin vazhduan të bënin të njëjtën gjë, duke menduar se do kishte paqe fiskale pas disa vitesh (paqja fiskale e radhës), gjë që nuk solli realizimin e pritshmërive të qeverisjes, administratës tatimore dhe publikut, por shtoi edhe më shumë abuzimet me ligjin, solli edhe më shumë konflikte biznes / administratë fiskale dhe degjeneroi moralin dhe etikën e biznesit në atë shkallë sa edhe sot është shumë vështirë për rikuperim.

 

Së treti – problemi nuk është emri, por mekanizmi dhe kjo nën këndvështrimin afatgjatë.

Edhe pse quhet “paqe fiskale”, në praktikë ajo funksionon si një amnisti fiskale klasike, me të njëjtën logjikë: falje gjobash dhe detyrimesh, pa adresuar shkaqet strukturore të evazionit fiskal, korrupsionit dhe dobësisë institucionale. Duhet kuptuar në këtë pikë se pasja fiskale nuk mund dhe nuk duhet të jetë reformë fiskale apo reformë në administratën fiskale. Nëse e konceptojmë si reformë më mirë të mos e bëjmë. Nëse e krahasojmë me reformën dhe nëse e barazojmë me reformën nuk kemi bërë gjë tjetër veçse një attentat shumë të rëndë ndaj demokracisë, ekonomisë së tregut dhe jetës së përditëshme të qytetarëve. Në lidhje me efektin afagjatë, në një ekonomi që tashmë jep shenja alarmante, kjo nismë rrezikon të:

  • dobësojë më tej disiplinën fiskale,
  • thellojë pabarazinë mes aktorëve ekonomikë,
  • dhe të dëmtojë seriozisht besueshmërinë e shtetit si garant i ligjit.

Si përfundim në lidhje me sa më lart duhet të deklaroj se (1) pa transparencë të plotë, (2) pa kontroll rigoroz dhe (3) pa barazi para ligjit, “paqa fiskale” nuk është gjë tjetër veçse legalizim i problemit dhe në këto kushte, kritikat e ekspertëve dhe opozitës janë jo vetëm të justifikuara, por të domosdoshme për mbrojtjen e interesit publik.

Për më tepër kam shumë dëshirë që ta plotësoj analizën time modeste, duke shtuar shembuj konkretë ndërkombëtarë, që tregojnë se amnistitë paqet fiskale, sidomos kur bëhen pa transparencë dhe pa reforma strukturore, kanë prodhuar probleme serioze – edhe në ekonomi shumë më të mëdha se Shqipëria.

Argjentina – Amnistitë fiskale dhe kriza e besimit

Argjentina ka aplikuar amnisti fiskale të përsëritura (veçanërisht pas 2016-s, me efekte që ndihen edhe pas 2020-s).

Problemet kryesore:

  • Bizneset dhe individët pritën amnistinë tjetër, në vend që të paguanin rregullisht.
  • U krijua një kulturë e qëndrueshme e mosbindjes fiskale.
  • Formalizimi ishte afatshkurtër, ndërsa borxhi publik dhe inflacioni u rritën.

Mësimi:
Amnistitë e shpeshta shkatërrojnë moralin fiskal dhe e bëjnë shtetin të pabesueshëm në zbatimin e ligjit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Shembull i qasjes së kundërt

SHBA nuk aplikon amnisti të përgjithshme fiskale. Programet ekzistuese (p.sh. për deklarime vullnetare offshore) janë:

  • të kufizuara,
  • individuale,
  • me kontrolle të forta dhe penalitete të pjesshme.

Pse SHBA shmang amnistinë masive?

  • Sepse dëmton konkurrencën e ndershme.
  • Sepse nxit evazionin afatgjatë.
  • Sepse minon besimin e taksapaguesve korrektë.

Mësimi:
Formalizimi bëhet përmes zbatimit të ligjit, jo përmes faljes kolektive.

Brazili – Amnistitë dhe klientelizmi.

Brazili ka aplikuar disa programe të ristrukturimit dhe faljes së detyrimeve fiskale (Refis), me pasoja të dukshme deri pas 2020-s.

Problemet kryesore:

  • Përfituesit kryesorë ishin kompanitë e mëdha dhe politikisht të lidhura.
  • Bizneset e vogla dhe qytetarët nuk patën të njëjtin akses.
  • U forcua perceptimi i klientelizmit fiskal.

Mësimi:
Pa kritere të qarta dhe transparencë, amnistia shndërrohet në mjet favorizimi politik.

Italia – “Condono fiscale” dhe dështimi strukturor.

Italia ka një histori të gjatë me condono fiscale (amnisti fiskale), përfshirë forma të reja edhe pas vitit 2018.

Problemet e evidentuara:

  • Evazioni fiskal nuk u ul në mënyrë strukturore.
  • Tatimpaguesit korrektë u ndjenë të diskriminuar.
  • Administrata fiskale u dobësua, sepse pritej gjithmonë “falja tjetër”.

Mësimi:
Amnistia pa reformë administrative është shtyrje e problemit, jo zgjidhje.

Çfarë tregon krahasimi ndërkombëtar?

Në të gjitha këto raste, problemet janë të njëjta:

  • Efekt afatshkurtër në të ardhura, shtohen të ardhurat në buxhetin e shtetit, por nuk ka qëndrueshmëri fiskale.
  • Dëm afatgjatë në moralin fiskal, pasi mendohet se do ketë përsëri paqe fiskale dhe shumica e subjekteve private shkelin ligjin me idenë se do falen përsëri pas disa vitesh.
  • Rritje e evazionit, kryesisht në aspektet e pagave të padeklaruara, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të papaguara, bilanceve të dy a tre fishta, mospagesë e taksë mbi të ardhurat, TVSH, tatimit mbi fitimin, etj.
  • Humbje e besimit te shteti, që sjell edhe dëmin tjetër moral, pasi edhe ata që nuk kanë biznese nuk kanë më besim te shteti dhe shkelin ligjin sa herë që kanë mundësi dhe sa herë që u jepet rasti, jo domosdoshmërisht në aspektet ekonomike- dje fiskale.
  • Favorizim i aktorëve më të fortë ekonomikë, duke lënë pas dore bizneset e vogla dhe të mesme dhe ata që duan të fillojnë a rifillojnë biznesin, që demoralizohen për këtë.

Në lidhje me sa më lart, si një përmbledhje e drejtpërdrejtë për Shqipërinë, “paqja fiskale” nëse (1) nuk ka transparencë të plotë, (2) nuk krijon mundësi për publikimin e përfituesve dhe (3) nuk shoqërohet me forcim real të kontrollit fiskal, (bazuar në përvojën e Argjentinës, SHBA-ve, Brazilit dhe Italisë), rreziku është i qartë. Do të përsëriten të njëjtat gabime, por tashmë jo në Argjentinë, Brazil, SHBA apo Itali, por në një ekonomi shumë më të brishtë, në ekonominë shqiptare, e cila edhe pa paqen fiskale ka shumë e shumë probleme. Në këtë kuptim, shqetësimi i ekspertëve nuk është ideologjik, por empirik dhe i provuar nga përvoja ndërkombëtare.

Më poshtë po e zgjeroj analizën duke shtuar alternativa paralele, komplementare dhe konkuruese ndaj “paqes fiskale”, të cilat përdoren realisht në vende të tjera dhe nuk dëmtojnë moralin fiskal, por përkundrazi e forcojnë ekonominë formale.

  1. Business Angels – Engjëjt e biznesit si alternativë reale

Në vend që shteti të falë detyrime të vjetra, ai mund të:

  • nxisë kapital privat të ligjshëmdrejt ekonomisë reale,
  • formalizojë biznese të reja dhe inovative,
  • krijojë vende pune dhe të ardhura afatgjata.

Modelet funksionale:

  • Skema lehtësuese fiskale për investime angel (jo falje borxhesh).
  • Bashkë-investim publik–privat.
  • Transparencë totale mbi burimin e kapitalit.

Rrjete ndërkombëtare si Ëorld Business Angels Investment Forum funksionojnë pikërisht mbi këtë filozofi: kapital i pastër, rrezik i ndarë, rritje reale.

Avantazhi kryesor:

Nuk shpërblen evazionin, por inovacionin dhe sipërmarrjen.

  1. Fondet e kapitalit sipërmarrës (Venture Capital & Groëth Funds)

Një tjetër mundësi paralele:

  • krijimi ose tërheqja e fondeve VC,
  • fokus te startup-et, teknologjia, agrobiznesi, energjia, turizmi cilësor.

Këto fonde:

  • kërkojnë bilance të pastra,
  • imponojnë qeverisje korporative,
  • rrisin standardet e transparencës.

Në kontrast me paqen fiskale:

Venture Capitals përjashtojnë informalitetin, ndërsa amnistia rrezikon ta legalizojë atë.

  Programet e formalizimit me stimuj, jo me falje

Një qasje më e shëndetshme është:

  • ulje e përkohshme e barrës fiskale për bizneset e reja,
  • pagesë e detyrimeve në këste pa fshirje totale,
  • kontrata fiskale të kushtëzuara me performancë.

Shembull logjik:

“Paguaj gradualisht, formalizohu plotësisht, përfito mbështetje.”

Kjo:

  • ruan barazinë para ligjit,
  • nuk ndëshkon tatimpaguesit korrektë.

  1. Amnisti e kufizuar + kontroll i fortë (model konkurrues)

Nëse shteti këmbëngul te “paqa fiskale”, ajo mund të:

  • kufizohet vetëm për shuma të vogla,
  • përjashtojë sektorë me risk të lartë (ndërtim, minerare, koncesione),
  • shoqërohet me kontrolle agresive pas afatit.

Ky model përdoret si instrument kalimtar, jo si politikë ekonomike.

  1. Bankat zhvillimore dhe garancitë sovrane

Një alternativë komplementare:

  • kredi të buta për formalizim,
  • garanci shtetërore për biznese, që dalin nga informaliteti,
  • monitorim financiar dhe fiskal në kohë reale.

Kjo:

  • rrit bazën tatimore,
  • nuk fshin borxhe,
  • por krijon kapacitet pagese.

  1. Digjitalizimi fiskal dhe lufta reale kundër evazionit

Asnjë “paqe fiskale” nuk funksionon pa:

  • fiskalizim real dhe jo formal,
  • ndarje të dhënash mes institucioneve,
  • ndëshkime të besueshme dhe të barabarta.

Ky është instrument konkurrues direkt i amnistive:

ose zbaton ligjin, ose fal shkeljen – të dyja bashkë nuk funksionojnë.

Në tabelën e mëposhtëme po sjell një krahasim të drejtpërdrejtë për mënyrat e realizimit të këtij procesi.

Qasja Efekti afatshkurtër Efekti afatgjatë
Paqe fiskale Likuiditet i shpejtë Dëm moral & evazion
Business Angels Jo i menjëhershëm Rritje reale
Venture Capital & fonde zhvillimi Selektiv Standard & formalizim
Stimuj formalizimi Mesatar Stabilitet
Kontroll i fortë fiskal Politikisht i vështirë Besim & barazi

Pra për të përmbledhur intervistën “paqja fiskale” nuk duhet të jetë mjeti kryesor, por në rastin më të mirë, mund dhe duhet të shërbejë si një instrument dytësor, i kufizuar dhe i shoqëruar me alternativa të forta zhvillimi.

Konkretisht, pa Business Angels, fonde investimi, formalizim me stimuj dhe zbatim real të ligjit, paqa fiskale rrezikon të jetë thjesht dhe vetëm falje e së shkuarës, pa ndërtuar të ardhmen.

ReplyReply AllForwardEdit as new

Kontrolloni gjithashtu

Intervistë me Biondinë Fazliun, vajza e Dëshmorit të kombit Asllan Fazliu

Biondinë Fazliu: “Babi im, Komandant Luani, jeton në kujtesën dhe krenarinë tonë” Radio Kosova e …