Në sallën e kuvendit komunal të Rahovecit, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport organizoi ceremoninë e dhënies së mirënjohjeve, të dekoratave dhe të çmimeve për laureatët e komunës sonë, duke nderuar arritjet dhe sukseset e tyre përgjatë vitit 2025.
Në këtë ceremoni u dhanë çmime dhe mirënjohje edhe për organizatat joqeveritare, për krijuesit letrarë, si dhe për individë që kanë dhënë kontribut të çmuar në fushën e artit, të kulturës dhe të rinisë, duke pasuruar jetën kulturore dhe shoqërore të komunës sonë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe klubeve sportive të komunës, të cilat gjatë vitit 2025 arritën rezultate të shkëlqyera. Për përkushtimin dhe sukseset e treguara, u dhanë mirënjohje jo vetëm për klubet, por edhe për trajnerët, që me punën dhe me profesionalizmin e tyre kanë luajtur një rol kyç në arritjet e sportistëve tanë.
Komisioni komunal për shqyrtimin e nominimeve shpalli fituesit:
SPORTISTI I VITIT 2025: EGZON GJUKA, hendbollist i KH “Rahoveci”.
Në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit mbështetja financiare është rritur për 18%, duke dhënë 65.000 € për kulturë, 19.200 € për rini dhe 139.600 € për klubet dhe shoqatat sportive, në total 223.800 euro.
Përkrahja jonë për sportistët, për trajnerët, për klubet, për krijuesit dhe për organizatat që japin kontribut, do të vazhdojë me përkushtim edhe në të ardhmen.