-Reforma zgjedhore ka shumë probleme në legjislacion, por sidomos me mos zbatimin e tij, me shkeljet e qëllimshme, me abuzime të shumëllojta.
-Mazhoranca ka përgjegjësinë ligjore të organizimit dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve, por në rastet kur flet për to, i anashkalon problemet, nuk merr përgjegjësi, ose këto u kalon të tjerëve.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Me z. Hoxha, në intervistën e parë u përqendruam në disa pyetje rreth Reformës Territorialo Administrative duke anashkaluar atë Zgjedhore. Me arsyen, për t’u ndalur posaçërisht në këtë të fundit në një kohë të dytë. Dhe,ja ku tashmë, jemi në momentin për të marrë përgjigje rreth disa pyetjeve për Reformën Zgjedhore…
-Prej ditësh,reforma zgjedhore është në qendër të diskutimeve…Mund të thoni diçka më gjerë dhe më konkretisht rreth kësaj reforme?
Po! Reforma zgjedhore, sikurse tashmë e kemi mësuar, është një nga sipërmarrjet me rëndësi të Kuvendit të Shqipërisë në këtë fillim legjislature. Arsyet janë të qarta. Veç rëndësisë që ajo gjithnjë bart në vetvete, kryesoren e përbën problematika e shumtë që shoqëroi zgjedhjet e kaluara. Janë aq shumë këto probleme, shumica prej të cilave lidhen qoftë me mangësi në legjislacion, por sidomos me mos zbatimin e tij , me shkeljet e qëllimshme, me abuzime të shumëllojta etj. Vetëm këto të numërosh, me përthyerje sigurisht nga më të ndryshmet, nuk mund t’i shkohet në fund kësaj interviste. Këtë gamë defektesh dhe boshllëkun disa llojesh, ligjvënësit gjithsesi e dinë mirë. Patjetër, i njeh mirë këto mazhoranca, e cila edhe pse ka përgjegjësinë ligjore të organizimit dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve, ajo i kontribuon këtyre, nuk përgjigjet ligjërisht, nuk bën analiza, ndërsa në rastet kur flet për to, i anashkalon, nuk merr përgjegjësi, ose këto u kalon të tjerëve. Ndaj kjo gjendje është njera prej arsyeve të ngritjes së këtij komisioni. Arsyeja tjetër me peshë, është sikurse dihet,detyrimi, që vjen nga përfundimet e vëzhguesve europianë. Gjetjet aty janë shumë; një pjesë skandaloze, për të mos thënë dhe kriminale. Është detyrim ligjor dhe moral, që mbi to të reflektohet përmes përmirësimit të legjislacionit, pasurimit dhe ndryshimit të tij. Sigurisht, për ndërtim të ri, forcim apo përmirësime të tij, duke e lehtësuar nga gjëra formale, apo nga ato evazive, me idenë të jenë aty të shkruara edhe pse nuk zbatohen etj…
2.Në intervistën e para pak ditëve i jeni larguar komenteve për reformën zgjedhore? Sipas jush, me dy argumente: njeri prej të cilëve, për të ardhur këtu me një trajtim më të plotë.
Është shumë e vërtetë kjo. Në intervistën për reformën territoriale (e cila, sipas meje, duhet cilësuar: Reformë Territoriale Administrative), jam shprehur se kjo reformë prevalon mbi reformën zgjedhore. Dhe, në të përgjithshmen e saj, doemos zgjedhorja është derivat i reformës territorialo-administrative. Sepse, në të parën, mbi territorin e nënterritor këtu ndërtohet gjithçka, marrin udhë dhe zhvillohen të gjithë punët dhe proceset, aplikohen, zhvillohen dhe matet efekti i çdo lloj reforme tjetër.Por, nga ana tjetër, në territorin e ndarë dhe të organizuar nga pikëpamja administrative, këtu mbështetet pjesa kryesore e ndërtimit të reformës zgjedhore, ndiqet aplikimi i saj, dallohen efektet, maten ndërkohë dhe rezultatet, me anën e disa treguesve. Ndarja e territorit dhe përcaktimi ligjor i administrimit të tij ndonëse janë të parët, duhet thënë se pas kësaj dhe mbështetur në të, formulohen përcaktime në ligjin e zgjedhjeve, reflektohen ndryshime në kodin zgjedhor, për votime që nisin nga qendra bazë e zgjedhjeve, që përfaqësojnë në çdo rast një njësi territori bazë, që në të përgjithshmen, ka qenë e mbetet fshati apo lagjja, pjesë të veçanta të fshatrave të mëdhenj, apo të lagjeve në qytete, e pastaj më tej, komuna apo bashki,…
3.Jeni shprehur, midis të tjerash, që reforma zgjedhore të mos përsërisë vetveten, siç ka ndodhur, në disa zgjedhje të së shkuarës. Mundet, diçka më shumë rreth këtij përfundimi!
Në të vërtetë, reformë zgjedhore i kanë vënë emrin, gjithnjë, çdo lloj ndërhyrjeje në këtë fushë. Por, në të gjithë zgjedhjet puna dhe vëmendja është përqendruar, përgjithësisht, vetëm në përpunimin e kodit zgjedhor, në ndonjë përmirësim të tij. Edhe pse shumëkush është me mendimin se komisionet e Kuvendit që ngrihen hyjnë në këtë proces me ide e synime të mira. Investohen për proces zgjedhor të rregullt dhe për rezultate reale në votime, për rezultate të pakontestueshme. Por, në të vërtetë, çfarë ka ndodhur? Në të gjithë rastet, produkti i reformave zgjedhore dhe i kodit përkatës jo vetëm nuk ka qenë i mirë, por ka qenë i ngarkuar me abuzime, ndërsa në përmbajtjen e tij mjaft i kontestueshëm. Kjo, jo në kuptimin e fituesit të zgjedhjeve, por në problematikën që i ka shoqëruar ato. Këto i konfirmuan përsëri së fundmi, edhe vëzhguesit ndërkombëtarë…
Në këto kushte, kujtdo i lind e drejta të thotë se ndërhyrjet në kodin zgjedhor, më e shumta kanë qenë formale, më e pakta nuk kanë qenë efektive. Në disa drejtime madje, janë shoqëruar edhe me të kundërtën çfarë përcakton ligji zgjedhor dhe kodi përkatës. Për të mos përmendur shumë gjëra, mjaftojnë shitblerjet e votës, votimi më shumë se njëherë nga të njëjtët persona në disa qendra zgjedhjesh, votimi familjar i përsëritur, e të tjera. A nuk është e gjitha kjo, në vetvete, përsëritje e punës së komisionit, i cili edhe pse lodhet e shpenzon kohë, produkti i punës së tij, ka rezultuar pa cilësi, jo i plotë dhe, në disa aspekte, edhe i dëmshëm.
Përsëritje të vetes do të konsideroja dhe faktin kur drejtimi, monitorimi dhe gjykimi i zgjedhjeve, vërehet të realizohet pothuajse nga e njëjta pjesë e burimeve njerëzore. Për ironi, a si për të ilustruar këtë përcaktim timin, mund të themi se as drejtuesi i KQZ nuk ka ndryshuar, është po z.Celibashi i vitit 2005.Të cilin, prej më shumë se 20 vitesh pra, e mbaj mend kur ai në krye të Komisionit për zgjedhjet parlamentare të po atij viti, votoi i pari kundra ankesës time, edhe pse manipulimi i rezultatit, të paktën në tre qendra votimi qe skandaloz, me kuti të mbushura me votat e hedhura nga vetëkomisionerët, për dhjetra e dhjetra votues që prej kohësh jetonin në Amerikë e në shtete të tjera të largëta.
Prandaj, për të mos vazhduar më tej, me gjëra që në kod shkruhen të përsëritura, ndërsa zhvillimet në praktikë ndodhin gati njëlloj, jemi pikërisht në momentin kur të paktën kësaj radhe që përkon me synimin dhe përpjekjet e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, reforma zgjedhore, me kodin përkatës dhe me pjesën tjetër të legjislacionit, të mos përsërisë vetveten ,siç ka ndodhur në disa prej zgjedhjeve paraardhëse…
4.Atëherë, që të mos ndodhë kjo, çfarë kërkohet të ndryshojë, krahasuar me të shkuarën e këtij procesi ?
Pyetja është mjaft domethënëse. Sepse, kështu në dukje, në pronocime e në propagandë, Komisionin e Kuvendit të sapongritur e shoh të angazhuar. Madje, njoh dhe eksperiencën e nivelin professional në këtë fushë të disa prej antarëve të këtij komisioni. Mirpo,edhe pse këto përbëjnë pozitivitete, pasi bartin vlerë e mundësi potenciale,këto përsëri mbeten të pamjaftueshme. Sepse,midis asaj që synohet të arrihet dhe zhvillimeve reale, egziston realisht një hendek i madh,që shpesh mendohet i pakapërcyeshëm. Konkretisht:ndërsa reforma ndërtohet për të prodhuar zgjedhje të lira e të ndershme, në praktikë ndodh ndryshe;nëse ajo konceptohet për rritjen e interesit të zgjedhësve,rënia e pjesëmarrjes në votime nuk tregon mbështetje të saj;nëse përmes reformës zgjedhore,lypset të ketë frymëmarrje më të gjerë dhe demokratizim të procesit, zhvillimet fatkeqësisht nuk kanë shkuar në këtë linjë, për të mos thënë që disa aspekte kanë marrë drejtimin e kundërt etj.
Kësisoj, mbështetur në analizën komplekse të këtij procesi, shumëkush, përfshirë dhe mua, proceset zgjedhore në vendin tonë nuk do t’i konsideronte aspak normale.Në këto kushte,për t’i shërbyer zgjedhjeve normale,është e nevojshme, sipas meje, që reforma e tanishme të kalojë në disa hallka. E thënë ndryshe, Reforma Zgjedhore, ajo duhet të presë disa ndryshime ligjore, mungesa e të cilave ose ka shtrembëruarpërmbajtjen,ose është bërë pengesë për suksesin e saj, bashkë me mungesën e efektivitetit të kodit përkatës…
5.Atëherë, mund të flisni më konkretisht për këtë pjesë, që e çmoj me interes për lexuesin…
Në përgjigje të interesit tuaj,ndonëse fusha është e gjerë,do të ndalem në dy momente që i konsideroj kryesore:
E para,reforma zgjedhore duhet të mbështetet fort në ndarjen territoriale dhe administrimin territorial. Kështu, llogaritë e komisionit të Reformës zgjedhore,sipas meje, nuk duhet të reduktohen në numrin e Bashkive, 61 apo 101, as vetëm në bashki që si rregull,i përkasin qyteteve.Ndryshe, për të patur më shumë vetqeverisje dhe më tepër pavarësi të saj, përmes zgjedhjeve të lira, është e nevojshme të konsiderohet seriozisht edhe pjesa rurale e territorit të vendit,e cila aktualisht, gjendet e zbuluar,ose me shumë mangësi.Ndonëse për popullsinë banuese, pjesa rurale tashmë mund të ketë zbritur nën 50 përqind, potencialet e saj janë të pallogaritshme,si nga pikëpamja e sipërfaqes dhe resurseve natyrore, ashtu dhe nga asete të ndërtuara në dekada, apo ato të përcjellë ndër shekuj.
Referuar këtij vështrimi, veç të përgjithshmes, Komisioni i Reformës Zgjedhore detyrohet të presë produktin e formalizuar të reformës territorialo -administrative,madje të bashkëpunojë e të ketë ndikimin e tij në këtë product,që siç e kam shkruar pak ditë më parë, kërkohet të jetë ndryshe nga ai i vitit 2014. Kështu, në vend numrit të sotëm të bashkive,mund të ketë një numër më të lartë të tyre; në vend vetëm të bashkive të mëdha, rrjedhojë edhe e aneksimit e përfshirjes së plotë të zonave rurale,të mund të konsiderohet edhe rikthimi te komunat;në vend të 308 komunave që ishin në zonat rurale,të mund të kalohet në një numër shumë më të vogël të tyre duke praktikuar zmadhimin e studiuar,mbase me tre apo më shumë herë; të bashkimeve të sotme mekanike të fshatrave me qytetin,të kalohet në formësimin e komunave duke respektuar të veçantën edhe sa i takon historisë dhe identitetit në shekuj të tyre. Apo dhe të tjera variante të mundshme dhe funksionale të kësaj natyre, gjithnjë me përbajtje vetëqëverisëse.
E dyta, Që të realizohen kërkesat për zgjedhje të lira e të ndershme ,që ato të sjellin në qeverisje vullnetin e zgjedhësve, dhe jo dëshirën e forcave politike, që fuqia e votës të jetë jo vetëm për të zgjedhur drejtuesit e radhës, por edhe për t’i ndyshuar ata jashtë radhës kur shtohet si nevojë.etj.Dhe, për të materializuar këto, kurrësesi,nuk do të mjaftonin vetëm disa përmirësime e ndryshime të papërfillshme në kodin zgjedhor. Ato janë bërë vazhdimisht,ndërsa përsëritja e tyre,nuk ka dhënë zgjidhje të dëshirueshme,madje nuk ka zbehur aspak shqetësimet e ndryshme,(sikurse vonesën në nxjerrjen e rezultateve,numrin e lartë të fletëve të pavlefshme,fletë votimi në kuti jashtë standartit etj),që fatkeqësisht kanë fituar një lloj qytetarije.
Prandaj, për të gjitha këto e të tjera,në legjislacionin e zgjedhjeve, sipas meje, është evidente nevoja për ndryshime esenciale, përfshirë dhe sistemet zgjedhore, përmbajtjen dhe, sidomos, funksionalitetin e tyre.Dhe,nga ndjekja e këtij procesi në 20 vitet e fundit po themi,nga përfundimet prej disa anketimeve të pazyrtarizuara, gjithnjë në rezonancë me të mirën e përgjithshme, larg nga çdo lloji interesi tjetër të ngushtë e afatshkurtër, rreth kësaj fushe kam rastin të sjell një vështrim timin në këto drejtime:
a)E para, në linjën e pushteti lokal, sigurisht pas fiksimit të ndarjes territoriale dhe caktimit të mënyrës së administrimit, të shtohet numri i drejtuesve lokalë dhe hallkat që zgjidhen me votë, duke mënjanuar kështu drejtimin me të emruar nga qendra.Një tjetër ndryshim lypset të bëhet edhe në statuset e organeve të zgjedhura në komuna e bashki, me shtimin e numrit të trupës së tyre, duke rritur pavarësinë në disa drejtime,të cilët sot ose nuk egzistojnë ose janë me statusin fare pak aktiv e vetëveprues. Për efektet pozitive që priten nga ndryshime të kësaj natyre kam spjeguar edhe në intervistën e reformës territoriale…
b).Edhe për deputetët e Kuvendit, krahas zvoglimit të numrit, përmes kthimit në systemin mazhoritar me korrektim,ndjehet nevoja e zgjedhjes së tyre drejtë përdrejtë nga zgjedhësit. Caktimi i sotëm, nga partitë apo kryetari, u verifikua pa rezultat, sipas meje, ai ngelet një eksperiment i pasuksesshëm. Sepse, deputetët e sotëm të listës shumë emërore nuk janë produkt i votës së zgjedhësve, por …Prej kësaj, rrjedhin një sërë disavantazhesh krahasuese në raport me tjetrën.
Është e pakuptimtë ndërkaq, zgjedhja e drejtuesve lokalë dhe antarëve të Kuvendit me një raund votimi…Prej këtij ndryshimi,ka humbur mbështetja e cilësuar e dikurshme e shumicës së zgjedhësve për drejtuesin local, apo për të zgjedhurin e Kuvendit në zonën elektorale.Kështu ka ndodhur e do të ndodhë që një titullar local apo qoftë dhe deputeti në mazhoritar,të zgjidhet me shumë pak vota,me as 15 apo 20 përqind të tyre.
Në anën tjetër,sistemi me një raund, së bashku me heqjen arbitrare të koalicioneve, ka prishur dhe kahjen politike, ka vrarë demokracinë funksionale të këtij procesi. Sepse,prej konfiguracionit të ndryshëm të kandidatëve, është eleminuar mundësia që në raundin e dytë kandidatë të ndryshëm të ripozicionohen në vartësi të dëshirës për zgjedhjen e titullarit. Ashtu sikurse ndodh e njejta gjë dhe nga “fshirja ligjore”e koalicioneve,çka ushqen, padrejtësisht,forcën kryesore politike me vota të pamerituara…
Prandaj, personalisht e konsideroj detyrim të Komisioneve të Kuvendit që në këto drejtime të bëjë ndryshime të thella. Me devizën:”Reforma territorial administrative të jetë ndryshe nga ajo e vitit 2014, ndërsa zgjedhorja të mos përsërisë veten në çdo 4 vite”.Dhe,nëse këto pengohen nga legjislacioni në fuqi, shkurt nga Kushtetuta e ndryshuar në vitin 2008, dy komisionet me fuqi të plotë dhe Kuvendi me shumicën e cilësuar të votave,të vendosë, sikurse vendosia atëherë,”rikthim dhe përmirësim në nenet përkatëse të Kushtetutës së Republikës”,të rikthejnë ndryshimet e asaj kohe, apo pjesë të caktuara prej tyre. Sigurisht,ato janë disa, ndërsa po flas për këto që kanë të bëjnë me hartimin dhe miratimin e reformës territorial administrative dhe asaj zgjedhore, për të cilat, si garanci kushtetuese,mund të përdoren edhe referendumet locale apo kombëtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
