Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: HAMBARI LDK DHE PËRMBYTJA VETËVENDOSËSE E ZGJEDHJEVE NË KOSOVË

Zgjedhjet e fundit në Kosovë prodhuan një tablo politike që nuk duhet të lexohet thjeshtë përmes shifrave, sikur u ngutëm ta vënim në spikamë efektin ‘Mërgatë’. Mërgata është bashkëtrupi ynë. Ata kanë ngjyrat tona të përbashkëta brenda ylberit elektoral. Ani pse ajo në rastin e tashëm u shpërfaq oazë ndikuese më vete nuk mori e as ka marrur ndonjëherë tipare bastioni. E ardhmja do të tregoj se ndryshimin e bëri lëvizja e elktoratit të patrajtuar, të lënë, të mohuar me përbuzje përmes një krekosjeje fëminore të Abixhikëve. Simptoma shëmbëllen në dritën e diellit; përbuzje e identitares së shtëpisë politike. Mjafton ta nxjerrim në sfond shembëllimin Agim Veliu.

Zgjedhjet sollën në pah këtë proces nga thellësitë e tij: zbrazjen graduale të “hambarit” tradicional të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përmbytjen elektorale nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk fitoi thjesht zgjedhjet, por riformatoi terrenin politik mbi të cilin ato zhvillohen. Sikur e kisha thënë në vigjilie të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kosova herët a vonë do shkoi drejt riformatimit të skenës politike me elektorat të bërë bashkë nga bashkimi i mençuar apo rrjedhja e shpejtë në kahjet LDK drejt LVV-së dhe të të tjerëve drejt PDK-së. Te artikulli “VARDISJA KOALICIONISTE – QË MUND TË VIE HAP MADHOR I VENDIT“ i pata quajtur taborret ‘Lufta dhe Paqja’.

LDK, dikur hambari më i qëndrueshëm i votës kosovare, ishte për dekada depoja e besimit institucional, e votës së moderuar, e qytetarisë së heshtur që kërkonte stabilitet më shumë sesa përmbysje. Ky hambar nuk ishte ndërtuar mbi spektakël, por mbi trashëgimi: Rugovën, rezistencën paqësore, shtetin që e kishin dëshirë të lindte ngadalë e pa dhimbje. Mirëpo, hambarët politikë, kur nuk mirëmbahen, edhe pse nuk digjen domosdoshmërisht — ata thjesht mbesin bosh.

Në zgjedhjet e fundit, LDK nuk u rrëzua nga një goditje e vetme, por nga mungesa e gravitetit. Ajo humbi aftësinë për ta mbajtur votuesin e vet si subjekt politik aktiv. Pa narrativë të re, pa figurë unifikuese dhe pa një projekt bindës për të ardhmen, LDK u perceptua gjithnjë e më shumë si një strukturë menaxheriale e së shkuarës (me hilegji ardhur në drejtim për ta bërë petk personal(, dhe jo si aktor i së ardhmes. Hambari i saj nuk u plaçkit; u braktis.

Në anën tjetër, Vetëvendosje erdhi si përmbytje. Jo si kanal i rregulluar institucional, por si valë e madhe që përfshiu gjithçka përreth. Ajo grumbulloi pakënaqësi, revoltë morale, dëshirë për ndëshkim politik dhe shpresë për drejtësi sociale, duke i shkrirë në një trup të vetëm elektoral. Përmbytja vetëvendosëse nuk bëri dallime të imta ideologjike; ajo i mori votat nga të majtë e të djathtë, nga ish-ldkistë të zhgënjyer dhe nga brezi i ri që nuk ka kujtesë emocionale për politikën e pasluftës.

Kjo përmbytje, megjithatë, ka shumë për të na rrëfyer nëpër studimet e asaj që ngjau e nuk po ndalet. Hë për hë për mua ka dy lexime:

  1. Në leximin e parë, ajo është ‘Triumf demokratik’: vota e lirë që rrëzon elitat e konsumuara dhe kërkon llogaridhënie.
  2. Në leximin e dytë, më problematik, ajo rrezikon ta shndërrojë pluralizmin në monotoni, konkurrencën në dominim dhe kritikën në besnikëri emocionale.

Kur një përmbytje zgjat shumë, ajo nuk ujit më — ajo gërryen. Dhe kjo është nisur tashmë e sa vite. Na kujtohen zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Zgjedhjet në Kosovë, pra, nuk ishin vetëm një ndërrim pushteti. Ato ishin shenjë e një tranzicioni më të madh: nga politika e hambarëve të qëndrueshëm në politikën e valëve të mëdha. Pyetjet që mbeten janë thelbësore për demokracinë kosovare:

  1. a do të mësojë LDK të rindërtojë hambarin e saj mbi themele të reja, dhe
  2. a do të dijë Vetëvendosje ta kthejë përmbytjen në ujitje institucionale, pa e mbytur vetë sistemin që e ri-solli në pushtet?

Përgjigjja këtyre pyetjeve domosdo nuk mund t’u jepej në fushatë dhe askund në tapetin e rrëshqitshëm, ajo u jepet veç se në qeverisje. Zgjedhjet vërteë prodhuan pushtet, por vetëm menaxhimi i tyre përmes pushtetimit të mirë vendos nëse kjo valë do të kapitalizohet vazhdimësi, apo thjeshtë do të njihet si dëm kolateral i demokracisë, sikur tentoi të dëshmoi në zgjedhjet e nëntë shkurtit kur LDK bëri përpjekje serioze ta riniste rrugën e saj.

Ruajtja e bazës elektorale nga PDK-AAK-NISMA është tregues i qartë se po ndodhë rreshtimi përmes rrjedhjes normale LDK drejt LVV-së, dhe kjo që po ndodhë në taborrin  PAQE do ta vëjë me shpatulla për muri taborrin tjetër LUFTË.

Në politikë është e mençur të shkohet tunelit që ka dritë në fund!

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …