Premtime për vota, shtyrje për qytetarë: Kurti e zhvendos pagën e 13-të në vitin 2027

Pas fushatës së mbushur me premtime të mëdha dhe ndihma simbolike prej 100 eurosh, kryeministri Albin Kurti ka pranuar se paga e 13-të për administratën publike nuk do të jepet në fund të vitit 2026, por do të shtyhet për fillimin e vitit 2027, duke zbehur pritjet e krijuara te punëtorët shtetërorë. Kurti deklaroi se paga e 13-të është paraparë në Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, por jo për t’u ekzekutuar në dhjetor të atij viti. Sipas tij, pagesa do të realizohet vetëm pasi të konstituohet Kuvendi i ri dhe të formohet qeveria, duke e lidhur një të drejtë financiare të punëtorëve me zhvillimet politike dhe procedurale. Ai u arsyetua me procedurat ligjore, duke theksuar se buxheti duhet të miratohet në dy lexime në Kuvend dhe se vendimi për ekzekutimin e pagës së 13-të do të merret në mbledhjen e parë të qeverisë së re. Kjo do të thotë se mijëra punëtorë të administratës publike, ndonëse e kryejnë punën gjatë gjithë vitit 2026, nuk do ta marrin shpërblimin e premtuar në kohën kur zakonisht pritej. Deklarata e Kurtit ka nxitur reagime kritike, pasi paga e 13-të ishte shndërruar në një prej premtimeve kyçe elektorale, e përdorur gjerësisht për mobilizimin e votuesve. Shtyrja e saj përtej afatit të pritshëm po shihet si tjetër dëshmi se premtimet elektorale po shërbejnë më shumë si mjet politik sesa si zotime reale me afate të qarta. Në fund, paga e 13-të mbetet më shumë një premtim i shtyrë sesa një realitet i afërt, ndërsa barra e pritjes bie sërish mbi administratën publike, e cila edhe kësaj radhe po e paguan çmimin e kalkulimeve politike dhe vonesave institucionale.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Tahiri: AAK-ja i ka 50 mijë vota dhe është pjesë e Kuvendit, pavarësisht diasporës

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar ndaj zërave dhe spekulimeve se …