Aktivisti politik Blerim Shala ka vlerësuar se raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës hynë në një fazë vendimtare në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90, duke u shndërruar më pas në një përkrahje të fuqishme, të qëndrueshme dhe strategjike për çështjen e Kosovës. Sipas tij, ftesat në Uashington dhe kontaktet e drejtpërdrejta me institucionet amerikane përbënin një shtysë të madhe politike për Kosovën, ndërsa rol kyç në këtë proces luajti edhe lobi shqiptaro-amerikan. Ai theksoi se reagimi më i fuqishëm i lobit shqiptar dhe i politikës amerikane erdhi pas 5 korrikut 1990, kur Serbia mbylli institucionet e Kosovës dhe shpalli de jure okupimin. Në këtë kontekst, Shala përmendi vizitën e Delegacionit të Shtatë Senatorëve amerikanë në Prishtinë, të kryesuar nga Bob Dole dhe Alfonse D’Amato, të cilët, pavarësisht situatës së tensionuar dhe mungesës së sigurisë, vizituan Kosovën për të dhënë mbështetje politike. Sipas Shalës, mesazhi i senatorit D’Amato për të mos u futur në luftë dhe për të pritur momentin e duhur ishte një porosi e rëndësishme dhe vizionare për udhëheqjen dhe shoqërinë kosovare. Ky qëndrim, tha ai, dëshmon se përkrahja amerikane për Kosovën ka qenë e menduar, e qëndrueshme dhe strategjike, e jo e rastësishme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
