Kuvendi Komunës së Malishevës, sot në mbledhje të jashtëzakonshme me shumicë votash ka miratuar buxhetin për vitin 2026/ 2028, përkatësisht për vitin 2026.
Në një seancë të mbledhjes të jashtëzakonshme u diskutuan prioritetet zhvillimore dhe orientimet kryesore financiare të komunës.
Me këtë rast, fjalë rasti mbajti Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, i cili theksoi se buxheti i vitit 2026 është i orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm, përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe realizimit të projekteve kapitale me interes të përgjithshëm.
Ai vuri në pah rëndësinë e planifikimit të përgjegjshëm buxhetor dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin e suksesshëm të tij.
“Lajm i mirë për qytetarët tanë! Sot, me shumicë votash në Asamblenë Komunale, u miratua buxheti i Komunës së Malishevës për vitet 2026–2028, me fokus të veçantë për vitin 2026, në vlerë prej 22,088,710 €.
Ky buxhet është besim, punë dhe investim për çdo lagje e çdo fshat, për fëmijët tanë dhe për Malishevën Urbane që po e ndërtojmë bashkë.
Faleminderit për besimin dhe përkrahjen”, ka thënë në fjalën e tij kryetari Kastrati!
Ndërkaq, Drejtori për Buxhet dhe Financa, Belrim Thaçi, prezantoi detajet e buxhetit të miratuar, duke shpjeguar strukturën e të hyrave dhe shpenzimeve, si dhe ndarjet buxhetore për sektorë të ndryshëm.
Ai theksoi se buxheti është hartuar në përputhje me nevojat reale të komunës dhe me prioritetet e përcaktuara në planet zhvillimore. Miratimi i buxhetit për vitin 2026 u konsiderua një hap i rëndësishëm për vazhdimin e projekteve ekzistuese dhe nisjen e iniciativave të reja në shërbim të qytetarëve të Malishevës.
Po në këtë mbledhje dha betimin edhe asamblisti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Albrim Morina.