Në periudhën e Krizës Lindore, në kohën kur Rusia zhvillonte luftë kundër Perandorisë Osmane, aleatët sllavë të Ballkanit: Bullgaria, Serbia dhe Mali Zi, e panë rastin e volitshëm për të pushtuar territore e zgjeruar principatat e tyre, dhe kjo ndodhi kryesisht në territoret me popullsi shqiptare. Serbia pushtoi sanxhakun e Nishit, Pirotit, Toplicës dhe Vranjës, me ç’rast bëri gjenocid mbi popullsinë shqiptare, vrau dhe përzuri nga vatrat e tyre dhe kështu e rriti territorin e principatës së Serbisë me 11000 km.katrore territore të pushtuara.
Nga ana tjetër, principata e Malit të Zi, me pushtimet që bëri të qyteteve Tivar, Ulqin, Podgoricë dhe rrethinat e tyre, si dhe në anën e Hercegovinës, të cilat ia pranoi Kongresi i Berlinit, e rriti territorin e principatës nga 4400 km katrore, në 9475 km. Në tokat e pushtuara nga Mali Zi popullsia shqiptare ishte 24000 muslimane dhe 18000 katolike.
PUSHTIMI I TIVARIT
Tivari, ky qytet i lashtë ilir, për shkak të rëndësisë strategjike bregdetare, ka përjetuar pushtime e sundime të shumta: nga romakët, mongolët, grekët, sllavët, venedikasit, balshajt, turqit dhe përsëri sllavët. Dhe, derisa mongolët dhe sllavët ishin shkatërrues, venedikasit ishin ndërtues të qytetit dhe të jetës së banorëve, kur Tivari fitoi statusin e polisit (qytet-shtet), me një autonomi, me mbrojtje dhe me gjyqësi të veten. Turqit as shkatërruan, as ndërtuan, përveç ndonjë fortifikimi për mbrojtje dhe kishat i shndërruan në xhami.
Forcat e Principatës së Malit të Zi, në luftën dymujore (nëntor-dhjetor 1877) Tivarin e morën nga Perandoria Osmane, e cila këtë qytet e mbajti prej vitit 1571 deri më 3 janar 1878. Dhe këtë pushtim të Tivarit e quajtën ‘’rimarrje’’, ndonëse qyteti kurrë nuk ka qenë i asaj principate.
Për pushtimin e Tivarit dhe të Ulqinit, të dhënat më autentike gjenden në raportet gazetareske të arkeologut e gazetarit të shquar britanik Arthur Jons Evans, të botuara në vitin 1878 në gazetën britanike ‘’The Manchester Guardian’’ dhe të tjera.
‘’Tre janari i vitit 1878, ishte një ditë që do të mbahet gjatë mend në historinë e Malit të Zi. Atë ditë, pas një rrethimi 64 ditor, qyteti dhe Kalaja e Antivarit (Tivarit,v.j.) iu dorëzua princit Nikolla (Petroviq,v.j.). Kryqi i bardhë mbi një sfond të kuq-karafil valon mbi muret e vjetra të qytetit, por valon mbi një grumbull rrënojash shkaktuar nga predhat dhe zjarri i artilerisë malazeze. Brenda gjithë rrethimit të mureve kanë mbetur ndoshta 30 shtëpi që kanë mbijetuar nga rreth 600 sosh që ishin vetëm pak muaj më parë. Qyteti i poshtëm dhe periferia janë shkatërruar pothuajse po aq, sa edhe qyteti i vjetër i sipërm. Bombardimi zgjati 64 ditë pa ndërprerje. Mijëra njerëz humbën jetën. Shtëpitë e latinëve dhe muslimanëve, të dy palët shqiptarë, në qytetin e poshtëm u plaçkitën gjithë çka kishin dhe mandej u dogjën nga fanatikët malësorë malazezë. Banorët vendas thërrasin Austrohungarinë ta aneksojë qytetin pas ikjes së Turqisë. Zëvendës-konsulli austriak në Tivar, gjatë rrethimit strehoi disa qindra banorë në kopshtet e konsullatës austriake dhe me rrezik të madh edhe vet qëndroi aty gjatë gjithë bombardimit. Se sa ishte në rrezik, tregon fakti se nga bombardimet malazeze u vranë 11 veta në oborrin e Konsullatës. Më pas, ai me një anije austriake i transportoi 300 qytetarë të Tivarit në ishullin Korçulla të Dallmacisë, ku i strehoi dhe ushqeu me shpenzime të Austrisë. Por, shumica e popullsisë muhamedane të Tivarit tani janë refugjatë në Shkodër. Pak banorë kanë mbetur nëpër shtëpitë e pa djegura në periferi, por ata tani janë në gjendje të mjerueshme, thotë Evans. Shumica prej tyre, pak ditë më parë ishin tregtarë të pasur, e tani janë kthyer në lypës! Unë kam gjetur mikpritje në shtëpinë e kapiten Ivos, një shqiptar, i cili ka humbur tri magazina dhe ka parë se si malazezët i prenin ullijt e tij më të mirë, për zjarr gjatë fushatës. Komandanti ushtarak këtu është vojvoda Shako, kushëri i Princit (Nikolla Petroviq,v.j.)’’, shkruan Evans në gazetën ‘’The Manchester Guardian’’.
Në kohën e sundimit turk, Tivari ishte i populluar ekskluzivisht me muslimanë dhe kam pritur se do ta gjeja një qytet të zakonshëm turk. Por, në muret e vjetra venedikase me të cilat ishte i rrethuar qyteti dhe në skalitjet para ndërtesave, ende gjendeshin mbetje të një bukurie arkitekture e zbukurimi që do ta kishte lakmi çdo qytet evropian. Çdo shtëpi që nuk ishte rrënuar plotësisht, kishte ndonjë kornizë elegante, ndonjë dritare me gëdhendje gotike venedikase, ndonjë mbishkrim, që të kujtonte shkëlqimin që kishte pasur Tivari nga koha e sundimit venedikas. Deri në çastin e bombardimit, Tivari kishte qenë qyteti më i përsosur venecian në Adriatik. Gjatë sundimit 367 vjeçar turk, asgjë nuk kishte ndryshuar as ishte dëmtuar qyteti, përveçse kishat e krishtera (katolike, v.j.) ishin kthyer në xhami, të cilave ua kishin bashkangjitur nga një minare. Të bën përshtypje numri i stemave fisnike mbi shumë dyer të shtëpive, siç ka qenë zakon në qytetet veneciane. Në kishën e Shën Gjergjit kopjova rreth 50 vargje latine të shkruara në vitin 1338. Stolisjet, mbishkrimet, afreskat nuk ishin dëmtuar kurrë, as nuk ishin mbuluar me gëlqere, edhepse banorët e atyre shtëpive ishin muslimanë. Fatkeqësisht ato i kishte dëmtuar artileria e krishterë! Tivari ka qenë qendra e arqipeshkvisë së kishës katolike shqiptare.
Nëse katër-pesë muaj më parë, Tivari ishte një qytet i ruajtur në mënyrë të pabesueshme në afro katër shekuj të sundimit turk, sot është rrënojë, sa që as Hunët dhe Avarët nuk do të kishin mundur ta shkatërrojnë ashtu, sepse ata nuk kishin mjete kaq të fuqishme shkatërrimi. Tivari ka ndalur së ekzistuari. Janë neveritëse pamjet e shkatërrimit dhe kujtimet e përgjakshme të nëntë javëve të luftës.
Forcat turke, të ndihmuara nga banorët e qytetit dhe rrethinës, ndonëse u vranë shumë civil, i qëndruan me vendosmëri sulmeve barbare malazeze. Kishin grumbulluar e siguruar ushqime dhe armë për qëndresë të gjatë. Bagëtitë e imta i kishin për ushqime, në rast nevoje. Kafshët e trasha u vranë nga bombardimet dhe mbetën të ngordhura e kundërmonin. Por, përkundër të gjitha vuajtjeve dhe rreziqeve, ajo që i detyroi forcat mbrojtëse të dorëzoheshin, ishte ndërprerja e furnizimit me ujë. Kështu më 3 janar 1878 Tivari u pushtua nga forcat malazeze. Në qytetin e rrënuar, përpos gjendjes së trishtueshme, gjetën armë të shumta, 18 topa, 4000 pushkë më të reja dhe shumë armë të vjetra, 8000 fuqi me barot dhe 1 milion fyshekë.
Akti i marrëveshjes së dorëzimit u nënshkrua më 9 janar 1878; Selim-beu ia dorëzoi qytetin princit Nikolla Petroviq, i cili selinë e vet të përkohshme dhe shtabin e ushtrisë e vendosi në shtëpinë-kullë pesëkatëshe të Selim-beut. Në një pllakë të vendosur aty, pranë detit, kishin shkruar fjalët e princit malazez, me këtë tekst:
‘’Vjençam te srpsko more, sa slobodom Crne Gore’’
(shq: Të kurorëzoj o det i Serbisë, me lirinë e Malit Zi)
Kongresi i Berlinit që u mbajt atë vit (13.VI – 13.VII.1878), ia la Tivarin dhe të viset tjera që kishte pushtuar principata e Malit të Zi, të cilës ia njohu edhe pavarësinë. Banorët që kishin mbetur gjallë, u detyruan të shpërngulën e shpërndahen, shumica e të cilëve shkuan në Shkodër dhe në qytete tjera shqiptare.
Tri vjet më vonë (1881) në Tivar u themelua institucioni i parë kulturor serb në atë qytet, i quajtur ‘Srpska narodna çitaonica’, një qerdhe politike dhe propagandistike për serbizimin e Malit të Zi.
Një pjesë e banorëve të Tivarit të shkatërruar, ishin vendosur dhe formuan ‘’Tivarin e Ri’’, qytezën Pristan. Atë pjesë e rrënoi pushteti jugosllavo-malazez në vitin 1976, për ta zgjeruar Portin e Tivarit dhe për t’i përzënë banorët shqiptarë edhe prej atje!
Tivari ka marrë epitetin e varrit të shqiptarëve edhe në Luftën e Dytë Botërore, kur në mars të vitit 1945 aty u vranë e masakruan mijëra shqiptarë-rekrutë të mobilizuar nga Kosova.
Sot Tivari është qyteti i tretë në Mal të Zi, me më se 45000 banorë, prej të cilëve vetëm 1919 (4,19%) banorë janë deklaruar shqiptarë. Në të dhënat statistikore nga regjistrimi i fundit i popullsisë së Malit të Zi, Tivari kishte këtë strukturë të popullsisë: Malazezë 19361 (42,26%), Serbë 11968 (26,12%), Boshnjakë 3911 (8,52%), Shqiptarë 1919 (4,19%), dhe një numër banorësh të nacionaliteteve tjera të ndryshme.
PUSHTIMI I ULQINIT
Ulqini është një nga qytetet më të vjetra ilire, i themeluar në shekullin V para epokës së re. Në vitin 163 të epokës së re, Ulqini u pushtua nga romakët dhe u shpall ‘municipum’ (qytet me status të pavarur). Qyteti përjetoi zhvillim dhe forcim në kohën e sundimit të perandorit Justinian dhe më vonë nën sundimin e Venedikut. Për shkak të pozitës së volitshme, Ulqini është pushtuar e sunduar nga pushtues të ndryshëm: romak, venedikas, turk dhe së fundi malazez. Ulqini njihet si foleja e piratëve, sidomos në shekullin 17 dhe 18, nën sundimin e Perandorisë Osmane. Ata kishin më se 500 barka, me të cilat operonin në tërë Adriatikun, e deri në Egje. Perandoria nuk e pengonte kusarinë, se ajo i konvenonte për të ardhurat e banorëve dhe dëmet që po u shkaktonin anijeve tregtare të Italisë dhe Venedikut. Por, në kohën kur vezir i Shkodrës ishte Mehmet-pashë Bushatlija, ai e shkatërroi ‘’flotën detare’’ të kusarëve, dogji e fundosi në Valdanos mbi 500 barka të tyre dhe kështu e ndërpreu kusarinë.
Vetëm 16 ditë pas pushtimit të Tivarit, forcave të ushtrisë malazeze iu dorëzua edhe qyteti tjetër bregdetar shqiptar – Ulqini. Për pushtimin e Ulqinit nuk u zhvillua ndonjë luftë e gjatë dhe rrënuese, sikur për Tivarin. Nuk u përdor asnjë top nga ushtria malazeze. Ata operonin në rrethinat e Ulqinit kundër ushtrisë turke. Ushtria turke nga deti i gjuante me topa pozicionet malazeze. Të dy palët ishin pothuajse të barabarta me trupa. Malazezët kishin gjashtë batalione dhe turqit 2000 nizamë dhe afro 800 shqiptarë (vullnetarë). Një batalion malazez u shkatërrua pothuajse plotësisht. Në një sulm të papritur, kurse 600 ushtarë turqë u detyruan të dorëzohen dhe kështu , pas rrethimit disaditor dhe luftimeve sporadike, në fazën e fundit u zhvillua një luftë njëditore, prej mëngjesi deri në mbrëmje dhe ushtria turke u dorëzua, qyteti dhe kalaja u pushtuan nga malazezët. Turqit e zënë rob në kala, u lejuan të nesërmen të largohen me anije.
Sipas gazetarit Evans, Ulqini në atë kohë kishte 3000 shqiptarë muslimanë, 13 familje romano-katolike dhe pesë familje të Kishës greke (ortodoksë). Kishte rreth 300 zezakë, të moshave dhe gjinive të ndryshme, të cilët ishin importuar të rinj nga Arabia, për të kryer punë të ndryshme dhe trajtoheshin si mall i pronarëve; çmimi i tyre sillej nga 20 deri në 40 florinj.
Pas pushtimit të Ulqinit, Ilija Pllamenac që u emërua edhe guvernator i Ulqinit, bëri gjithçka për të fituar besimin e qytetarëve të Ulqinit. E ngriti një stacion telegrafik, vuri llamba për të ndriçuar rrugët e qytetit, formoi një gjykatë të përzier për drejtësi dhe arbitrazh për zgjidhjen e kontesteve. Gjykata përbëhej nga dy muslimanë, një katolik dhe një malazez; e kryesonte vet Pllamenac.
Sipas vendimit të Kongresit të Berlinit, Ulqini do t’i kthehej përsëri Perandorisë Otomane. Ushtria malazeze u tërhoq nga Ulqini në shkurt të vitit 1879. Por, me qenë se forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk i dorëzuan Plaven e Gusinë, Hotin e Grudën, të cilat Kongresi ia kishte dhënë Malit të Zi, fuqitë e mëdha vendosën dhe nën kërcënimin e flotës detare që sollën në Adriatik dhe paralajmërimit se do ta sulmonin edhe Stambollin, e detyruan Turqinë t’ia jepte Malit të Zi Ulqinin, si kompensim për viset të cilat i mbronin shqiptarët. Kështu, Mali Zi përsëri mori Ulqinin më 26 nëntor 1880.
Megjithatë, edhe pas 145 vjetëve të okupimit, Ulqini edhe më tutje mbetet qytet i dominuar nga popullsia shqiptare. Sipas të dhënave statistikore nga regjistrimi fundit i popullsisë së Malit të Zi (2023), Ulqini (komuna e Ulqinit) ka 20507 banorë, prej tyre 15078 (73,57%) janë Shqiptarë, 2435 (11,…%) Malazezë, 1025 (5%) Serbë, 797 (3,89%) Boshnjakë, etj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
