Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka pritur sot në takim Drejtorin e Qendrës Rajonale të OSBE-së në Prizren, Fitim Nuhii, së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Qëllimi i këtij takimi ishte i karakterit punues, si dhe urimi për kryetarin Kastrati pas marrjes së mandatit të dytë në drejtimin e Komunës së Malishevës.
Kryetari Kastrati e ka falënderuar drejtorin Nuhii për vizitën, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Misionit të OSBE-së në Kosovë me Komunën e Malishevës, duke vlerësuar përkrahjen e dhënë në fushat e demokratizimit, transparencës, rritjes së kapaciteteve institucionale dhe mbështetjes për komunitetet.
Nga ana tjetër, drejtori i Qendrës Rajonale të OSBE-së në Prizren, Fitim Nuhii, e ka uruar kryetarin Kastrati për mandatin e dytë, duke vlerësuar lart bashkëpunimin e deritanishëm dhe gatishmërinë e komunës për të qenë partnere aktive në projektet e OSBE-së.
Kryetari Kastrati dhe drejtori Nuhii diskutuan gjithashtu për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit përmes programeve të ndryshme të Misionit të OSBE-së, me fokus në qeverisjen e mirë, përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, fuqizimin e të rinjve dhe barazinë gjinore, fusha këto që paraqesin rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm të Komunës së Malishevës.