Sadik Halitjaha: Ahmet Qeriqi, me romanin “Kthimi”, e fillon rrëfimin me personazhin që ishte vetë ai – Eknat Malmiri

Përshkrimi i burgut dhe dalja e Ahmetit pas shtatë viteve nga burgu janë ndër pjesët më domethënëse të veprës. Pas shtatë (7) viteve burg, paraqiten kontaktet me udbashët (inspektorët), si dhe kthimi në shtëpi, takimi me familjen, vizitat e shumta nga njerëzit dhe dashamirët, por edhe nga vëzhguesit me porosi të UDB-së, si dhe propaganda me shpifje kundër tij.

Veçanërisht përshkruhen vizitat dhe bisedat me Mulla Ramë Govorin, ish i burgosur me 20 vite burg.

Relacionet shoqërore dhe respekti për të burgosurit politikë krahasohen me ata të Algjerisë. Kjo mua më kujtonte librin e Frantz Fanonit, “Të mallkuarit e botës”, të cilin e lexonim para burgut dhe në burg, pikërisht për të mësuar dhe për t’u njohur me revolucionin e Algjerisë kundër kolonizatorëve francezë.

Nga mënyra se si vlerësoheshin aksionet dhe të burgosurit politikë, përmes këtij krahasimi konstatonim distancën deri te liria.

Njëkohësisht, Ahmeti e qartëson çështjen e besimit në Zot dhe në fe, duke e njohur mirë fenë, pasi kishte kryer shtatë vite mejtep. Ai shpjegonte se ajo që na priste ishte lufta për liri dhe se duhej vepruar, jo vetëm me lutje duke ia lënë gjithçka Zotit. Problemet e robërisë sonë duhej t’i zgjidhnim vetë, sepse, siç thoshte ai, kurrë Milloshi nuk do të na thoshte: “E keni të drejtën për lirinë tuaj”.

Shihet qartë përcaktimi dhe pathyeshmëria e Ahmetit; përkundrazi, ai del më i mprehtë, më këmbëngulës dhe më i formuar kombëtarisht, më i gatshëm të përballet me të gjitha sfidat e kohës. I vendosur që ta çojë çështjen përpara, deri te lufta për liri.

Organizata e fshehtë, veprimet dhe qëndrimet në fshehtësi të plotë nga pushteti, qëndrimi në bunker me muaj të tërë pa u dorëzuar – Ahmeti bëri jetë kaçaku.

Ai u bë më i fortë nga këto sfida, si dhe nga torturat e hetuesve në burg, duke qenë i vendosur t’i arrinte të gjitha synimet e tij. Këmbëngulja e Ahmetit bëri që ai të mësonte gjuhën hungareze në burg aq mirë, sa arriti të përkthente libra.

Madhështia e Ahmet Qeriqit ishte e veçantë: ndryshe nga shumë të tjerë, atij kurrë nuk iu rrit mendja, por e ruajti gjatë gjithë jetës modestinë maksimale. Ishte shumë popullor, komunikues me thjeshtësinë e tij me të gjithë shokët e miqtë, dhe modest edhe në shkrime, ashtu si edhe tregimet në romanin “Kthimi”. Edhe daljen nga burgu dhe përballjet në burg i shkroi me emra e pseudonime, vetëm për të mos përdorur vetveten në vetën e parë me emrin e tij.

Ahmeti ishte dhe mbeti idealist i madh, atdhetar i pakrahasueshëm dhe luftëtar i paepur në luftën çlirimtare.

Lavdi jetës dhe veprës së pavdekshme të madhit prof. Ahmet Qeriqi.

21.02.2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: POET QË GODET KONFORMIZMIN DHE PSEUDOVLERAT

Krijimtaria letrare e Agim Vincës në përgjithësi e ajo poetike në veçanti karakterizohet për frymën …