Mehmet Bislimi: Vegimtari

Mehmet Bislimi: Vegimtari

Në respekt e kujtim për autorin e veprës dhe personazhin e saj, Urtanin. Do të përpiqem ta ndjek këmba-këmbës Urtanin e madh, kuptohet me rekuiem letrar në rrugëtimin e tij, duke e ndier dyfish më rëndë peshën e mungesës së tij fizike, natyrisht peshën e penës që Urtani e fuqizoi gjatë këtij rrugëtimi që i thonë jetë, pra jeta e një vegimtari, gdhendur me kaq mjeshtëri në letrat tona shqipe si asnjëherë më parë, madje as në kronikat e lashta. Më saktë, stigmatizimi dhe akuzat e akorduara nga pushtues të ngjyrave të ndryshme në kohë e mote të largëta dhe të afërta, në mote të liga dhe të rënda për ne shqiptarët, sikur nuk pushuan deri më sot, për Urtanin rrugë kjo deri në amshim, të cilën do ta përshkojmë të gjithë ne.

Armiqtë e kombit tonë pak ose aspak nuk kanë ndryshuar, veçse vërsulja apo qasja është ndryshe, me mjete dhe mënyra më të sofistikuara, më tinëzare dhe më të ulëta nga aspekti etik. Fatkeqësisht, Urtani episode të shëmtuara të tilla kishte përjetuar që nga mosha e tij rinore, si përgjime, linçime, persekutime, shantazhe, arrestime, burgosje, dënime e çka jo, por ai asnjëherë, madje as si personazh dhe as si figurë reale, nuk ishte zmbrapsur kurrë. Urtani misionin e tij e ka dërguar në vend, para së gjithash si atdhedashës, si intelektual, si krijues, si luftëtar dhe mbi të gjitha si njeri dhe familjar i shkëlqyer e me taban.

Ahmet Qeriqi, autori i kësaj vepre letrare, parimin më elementar etik që ia ka vënë vetes mbi supe që nga mosha e re është: të mos frikohemi nga e vërteta! Të gjithë ata që frikohen nga e vërteta, do të thotë se i kanë hyrë dikur dikujt dhe kohës në hak; ata nuk udhëtojnë për askund. Urtani i mirë e vegimtar, pra Urtani Qiri, që flet hapur dhe digjet si Qiriu i Naimit, në këmbë (ngase qiriu nuk digjet i shtrirë), por gjithmonë në këmbë për të ndriçuar rrugën të tjerëve, ka ndërtuar këtë vepër në formë kronologjike mbi këtë rrugëtim të vegimtarit të denjë, me personazhe mitike, simpatike, reale, triumfuese si: David Jakob Qiri nga Malmiri, Urtani, Hana, Zani, Dreni, Dranja, Ziri e dhjetëra personazhe të tjerë të asaj kohe, realë por edhe të imagjinuar, për t’i dhënë gjak e madhështi kësaj krijese që quhet libër, roman, kronikë, dëshmi e shkruar në letrat shqipe, dokument kohe, analiza ekonomike, sociale, filozofike, kritikë letrare, poezi, mbi të gjitha me kryeveprën e tij historike: “Guri i Betimit”, si dhe veprat e tjera të radhës: “Meditime në arrati”, “Burgu”, “Çlirimtarët e mercenarët”, “Krojmiri”, “Koha e jeniçerëve”, “Betimi i motrës” etj. Ky burrë i madh nuk u ndal dhe nuk u lodh kurrë, nuk u zmbraps, nuk u pendua dhe nuk u ankua asnjëherë. Ky burrë i madh nuk u hamend as para varfërisë, as para pushtuesit gjakatar, as para prangave të burgut, as para tytave të armëve të Serbisë që villnin zjarr, as para detyrave me përgjegjësi që i ishin ngarkuar, siç ishte misioni i tij në Radio Kosova e Lirë gjatë dhe pas luftës sonë çlirimtare etj. Ai këtë rrugëtim e bëri me nder e përkushtim deri në çastet e fundit të jetës së tij, kur edhe u nda nga ne për të veguar tutje, drejt qiellit të kaltër hyjnor.

Më se e vërtetë: na ishte njëherë një kohë, kur shqiptarët dënoheshin nga regjimi i pushtuesit kryesisht për mosbindje dhe qëndrime politike. Pra, Urtani — alias Ahmet Qeriqi — ishte i angazhuar në mesin e grupeve çlirimtare me në krye simbolin e rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçin, dhe atë që në kohë të hershme, për çka Urtani ka bërë edhe burg e kështu me radhë. Autori i kësaj vepre dhe i shumë veprave të tjera nuk kërkoi më shumë se liri dhe bashkim kombëtar për popullin shqiptar; për habi, Urtani nuk kërkoi asgjë për vete dhe privilegje për familje e ilakë. Kjo ishte madhështia e tij, si intelektual e krijues, modest e njerëzor, atdhedashës e liridashës, luftëtar dhe familjar shembullor.

E them me përgjegjësi të plotë se Ahmet Qeriqi me kohë i kishte kaluar kufijtë e frikës dhe të urrejtjes, të kundërvënies dhe hakmarrjes; si intelektual, si krijues, si luftëtar i lirisë, si i persekutuar, ai dëshironte vetëm lirinë e vendit të vet dhe këtë e mbronte me forcën e argumentit të domosdoshmërisë për të qenë të jetuar të lirë e të barabartë me popujt e tjerë të rajonit e botës së madhe përparimtare. Ai kishte kaluar kufijtë e vetëmohimit për diçka më të madhe, më të shenjtë, siç ishte kauza jonë e kamotshme kombëtare.

Ahmet Qeriqi si krijues

Autori Qeriqi ngërthen në vete një gamë shumë të gjerë të krijimtarisë letrare në disa zhanre të letërsisë sonë shqipe. Ai ka shkruar mbi (shëno numrin e romaneve)…, qindra shkrime në rrafshin politik e filozofik, analiza të shumta sociale dhe politike, me qindra kujtime biografike dhe autobiografike, rekuieme për personalitete madhore shqiptare, analiza ditore politike, shkrime për figura historike, për dëshmorët e kombit dhe qindra punime të tjera me vlerë letrare-historike-shkencore etj. Autori në këtë vepër ka shënuar një zhanër të llojit kronik-autobiografik, mbi jetën dhe rrugëtimin jetësor të një vegimtari, ngjarje kjo e ngërthyer mbi kurrizin e personazhit emblematik, Urtanit, i cili sfidon realitetin e hidhur dhe triumfon mbi të papriturat që jeta e robërisë ia kishte vënë përpara jo vetëm atij, por mbarë popullit shqiptar. Urtani triumfon ballëlartë mbi këtë katrahurë robërie gati një shekullore nën Serbi, përjeton ditët më të bukura të lirisë, për të cilën personazhi real dhe imagjinar, Urtani, kishte dhënë gjithçka nga jeta e tij, duke kaluar me ditë e net të tëra mbi letrat shqipe, për të lënë me po aq madhështi në mesin tonë brumin e një pune kaq të vyer për ne.

Unë do të shtoja këtu edhe diçka që nuk ka si të kalohet pa e shtjelluar: vepra në fjalë e autorit Qeriqi, “Vegimtari”, botohet post mortum (pas vdekjes së autorit). Autori ka lënë në dorëshkrim edhe disa punime me shumë vlerë, që një ditë do të shohin dritën e botimit. Kjo falë familjes së tij të vyer e të ngritur si produkt dhe edukatë nga vetë ai, sepse kush më mirë do të kujdeset për të, veç familjes dhe miqve të tij besnikë.

Por a mjafton kjo? Jo. Pra, a është kjo rruga më e denjë për të? Jo. Në çdo shoqëri përparimtare dhe të ngritur, në çdo shtet demokratik që synon shoqëritë e përparuara dhe të kamura, që synon zhvillimin dhe kulturën krijuese-letrare të zhanreve të ndryshme, do të duhej, më saktë është obligim i sektorëve përkatës dhe i shtëpive botuese, që letrat dhe bibliotekat shqiptare t’i pasurojnë me botimet e atyre krijuesve potencialë që nuk janë më në mesin tonë. Ata dhanë kaq shumë për ne; ata na i lanë të gjitha ato krijime dhe vepra me vlerë, që ne ta kujtojmë emrin e tyre me nder e krenari. E ne, një ditë do të themi: Po, ky ishte shkrimtar, filozof, poet, krijues, atdhetar e liridashës; ky ishte simboli dhe krenaria jonë kombëtare. A do të ndodhë kjo një ditë? Pyetje që nuk mund t’i jap përgjigje; sigurisht se do të përpiqemi dhe do të punojmë për ditë më të mira!

CH-24-10-2025

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: ATO QË VEPROVE JANË PEMË BRENDA NJERIUT – Ahmet Qeriqit

Jeta jote kishte fshirë çdo artificialitet,Asnjëherë s’pushove duke kënduar himnin tënd,Dhe s’u lejove mbretërve të …