Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të një ministri të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilit kryeministri i Kosovës i ka falur 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit “për hatër të tij”. Sipas veteranëve të luftës, këto deklarata dhe veprime zbulojnë, siç thuhet në reagim, “fytyrën e vërtetë të këtij pushteti”, të cilin ata e akuzojnë për orientim antikombëtar dhe për veprime që bien ndesh me interesat e qytetarëve të Kosovës. Në reagimin e tyre, veteranët theksojnë se zhvillimet e fundit përbëjnë një precedent të rrezikshëm dhe të papranueshëm, duke e cilësuar vendimin për tokën si një veprim që cenon drejtpërdrejt pronën dhe territorin e Kosovës. Ata akuzojnë pushtetin se po luan me çështje të ndjeshme kombëtare dhe se po merr vendime që, sipas tyre, favorizojnë interesa të ngushta e kapriço personale. Sipas organizatës, edhe përpjekjet për ta relativizuar këtë çështje vetëm sa e thellojnë skandalin dhe rrisin pakënaqësinë në mesin e kategorive të dala nga lufta. Veteranët e konsiderojnë këtë qasje si fyerje të rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar dhe ndaj gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës. Në fund të reagimit, ata paralajmërojnë se nuk do të heshtin përballë, siç e quajnë, “tjetërsimit të pronës dhe interesave të Kosovës”, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe institucionale për çdo vendim që cenon territorin dhe dinjitetin e vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
