Është thënë shpesh nga poetët se liria është më e shtrenjtë se gjaku. Kjo thënie, e lindur nga ndjenja të thella shpirtërore dhe përvoja historike, në shumë raste merr përmasa edhe më të mëdha se vetë kuptimi i saj poetik. Sepse liria nuk është vetëm një ideal; ajo është dramë, sakrificë dhe përballje me dhimbjen më të madhe njerëzore.
Në historinë tonë kombëtare, kjo e vërtetë merr formën më të plotë në sakrificën e familjes Jashari. Sa herë që shfletojmë faqet e historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përballemi me ngjarje që tejkalojnë kufijtë e përjetimit të zakonshëm njerëzor. Ato nuk janë thjesht rrëfime lufte, por dëshmi të një qëndrese titanike përballë një armiku, mizoria e të cilit ka lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen njerëzore. Ngjarjet e Prekazit janë ndër më të dhimbshmet dhe njëkohësisht ndër më madhështoret, sepse aty u vulos me gjak ideali i lirisë.
Në qendër të kësaj sakrifice qëndron figura e Adem Jasharit dhe familjes së tij, e cila nuk u dorëzua, por zgjodhi të bëhej themel i lirisë. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë plotësisht atë që ndodhi, as laps që mund të bartë gjithë peshën e asaj tragjedie heroike. Pothuajse e gjithë familja Jashari u flijua, duke u bërë simbol i pavdekshëm i rezistencës dhe i dashurisë për atdheun dhe këtë e vërteton thënia se “liria nuk dhurohet, por fitohet”.
Në këtë kapitull të historisë, dëshmitare dhe lajmëtare e gjallë e kësaj sakrifice mbetet Besarta Jashari, e cila pa me sytë e saj tmerrin e luftës vrastare të forcave serbe. Rrëfimi i saj nuk është vetëm kujtim, por një thirrje për ndërgjegje dhe për mosharresë. Ajo mbart në vetvete dhimbjen, por edhe krenarinë e një populli që nuk u përkul. Përballë saj kanë dështuar shumëkush — shqiptarë dhe ndërkombëtarë — sepse asnjëherë nuk iu dha hapësira e merituar, që e vërteta e saj të dëgjohej botërisht. Në këtë kontekst, fjalët për humanizëm dhe drejtësi shpesh tingëllojnë të zbrazëta.
Historia jonë është përsëritur shpesh në mënyra të dhimbshme dhe jo rrallë kemi përfunduar aty ku nuk do të duhej. Por çdo herë, prej saj ka dalë një dritë — një lajmëtar i lirisë që na kujton se sakrifica nuk ka qenë e kotë. Familja Jashari është pikërisht kjo dritë, ky mesazh i përjetshëm se liria nuk dhurohet, por fitohet me çmim të lartë.
Nuk ka këngë që mund të përmbledhë gjithë shpirtin liridashës të kësaj familjeje. Nuk ka libër që mund të përfshijë të gjithë heroizmin e tyre. Sepse ajo që ndodhi në Prekaz nuk është vetëm histori — është themel i lirisë së Kosovës. Dhe kur flasim për lirinë e Kosovës, në të vërtetë flasim për lirinë e gjithë shqiptarisë.
Prandaj, thënia “Liria është më e shtrenjtë se gjaku” nuk është më vetëm një metaforë poetike. Ajo është një realitet i dëshmuar me jetën e një familjeje të tërë. Është një amanet që na obligon ta ruajmë, ta vlerësojmë dhe ta mbrojmë lirinë, sepse ajo është paguar me çmimin më të shtrenjtë — me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të kombit.
Masakra e Prekazit ishte një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë, e zhvilluar më 5–7 mars 1998 në fshatin Prekaz. Gjatë kësaj masakre u vranë gjithsej 58 shqiptarë, kryesisht nga familja e Adem Jasharit. Prej tyre, rreth 18 ishin fëmijë (nën moshën 18 vjeç). Në mesin e të vrarëve kishte edhe gra dhe të moshuar, çka e bën këtë ngjarje një simbol të fuqishëm të sakrificës dhe rezistencës në Kosovë dhe jo vetëm.
Me të drejtë dijetari shqiptar Sami Frashëri ka thënë: “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.”

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
